Connect with us

Aktualitet

Shqipëria në flakë/ 27 zjarre në vetëm një ditë, 8 vatra ende jashtë kontrollit

33 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë Shqipërinë gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa 5 të tjera janë nën monitorim.

Për përballimin e situatës janë angazhuar gjithsej 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Aktualisht në terren ndodhen rreth 120 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Malin e Dajtit, në Tiranë, vijon ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe ushtarake. Në operacion janë përfshirë 15 efektivë të MZSH-së, 10 forca të ADZM-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë. Sipas autoriteteve, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë vënë nën kontroll dhe vijojnë të monitorohen.

Situata mbetet aktive edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku po zhvillohet një operacion i gjerë për izolimin e zjarrit. Në terren janë angazhuar forca bashkiake, efektivë të Policisë, ADZM-së, zjarrfikës, vullnetarë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga dy avionë Air Tractor.

Sipas autoriteteve, hapja e korridoreve në terren ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.

Qafë Helmës dhe Bruç, operacionet vijojnë në terren të vështirë. Zjarri në Qafë Helmës është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa një vatër mbetet aktive në drejtim të Selishtës. Edhe në këto zona, autoritetet nuk raportojnë rrezik për banesat.

Ndërhyrje po vijon edhe në Lufaj të Mirditës, ku pas hapjes së korridoreve ndarëse forcat operacionale po punojnë për izolimin e vatrës. Operacioni po mbështetet nga një helikopter i Forcës Ajrore.

Fushë-Lajë të Pukës, në terren janë angazhuar 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Rrjoll, situata po monitorohet nga afër edhe përmes dronëve, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për banesat.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa strukturat qendrore dhe vendore po koordinojnë ndërhyrjet tokësore dhe ajrore për izolimin e vatrave që vijojnë të jenë aktive.

Advertisement