Aktualitet
Superstrada Tiranë-Durrës merr fytyrë të re, projekti gjigant po merr formë
Punimet për zgjerimin e superstradës Tiranë–Durrës, një prej akseve më të ngarkuara dhe më strategjike të vendit, po hyjnë në një fazë vendimtare, ndërsa qeveria njofton se një pjesë e rëndësishme e projektit është përfunduar përpara afatit.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu publikoi pamje nga kantieri i Fazës III të zgjerimit të superstradës, duke bërë të ditur se punimet po vijojnë me ritme të larta për ta shndërruar këtë korridor në një infrastrukturë moderne, sipas standardeve evropiane.
Sipas saj, projekti synon jo vetëm të lehtësojë qarkullimin në aksin që lidh Tiranën me Durrësin, por edhe të rrisë sigurinë rrugore dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të zonave përgjatë këtij korridori.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me mbikalimin e ri në Kashar, ku punimet për montimin e trarëve metalikë janë përfunduar përpara afatit të parashikuar.
Përfundimi i kësaj faze ka bërë të mundur rikthimin e qarkullimit normal në superstradë, duke shmangur kufizimet që shoqëruan ndërhyrjet në kantier.
Superstrada Tiranë–Durrës mbetet arteria kryesore rrugore e vendit, me një fluks të lartë të përditshëm automjetesh dhe një rol kyç në lidhjen mes kryeqytetit, Portit të Durrësit dhe zonave turistike të bregdetit.
Zgjerimi i saj konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore, pasi pritet të reduktojë trafikun, të përmirësojë standardet e sigurisë dhe të rrisë kapacitetin e një rruge që për vite me radhë ka qenë ndër më të ngarkuarat në Shqipëri.