Connect with us

Kronike

“Më iku makina”/ Arrestohet taksisti pas aksidentit fatal në Durrës, ZBARDHET DESHMIA

Një aksident i rëndë i ndodhur paraditen e sotme në Durrës i ka marrë jetën një 66-vjeçari, i identifikuar si Fezi Dine.

Ngjarja ndodhi në rrethana që tashmë janë nën hetim, ndërsa drejtuesi i taksisë, 26-vjeçari Aldi Talelli, është arrestuar nga Policia.

Talelli rezulton të ketë dokumentacionin e rregullt për drejtimin e taksisë dhe prej rreth 8 vitesh drejton automjete. Pas aksidentit, ai i është nënshtruar testit për alkool dhe ka rezultuar negativ.

26-vjeçari ndodhet aktualisht në polici, ku po merret në pyetje nga oficeri i Policisë Gjyqësore. Në komunikimet e para me hetuesit, ai ka deklaruar se “i ka ikur mjeti”.

Nga pamjet e siguruara më herët, automjeti shihet teksa del nga kontrolli dhe përfundon në trotuar, duke përplasur 66-vjeçarin. Dine u transportua me urgjencë në spital, por për shkak të plagëve të marra nuk mundi të mbijetonte.

Shkaku i saktë i aksidentit mbetet ende për t’u përcaktuar. Grupi hetimor po vijon punën, ndërsa ekspertiza pritet të ndihmojë në zbardhjen e dinamikës së plotë dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Advertisement