Aktualitet
Zjarri del jashtë kontrollit në Bulqizë, vështirësohet ndërhyrja e zjarrfikëseve
Situata nga zjarri në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, në zonën e Qafë Helmesit, është përkeqësuar dhe flakët kanë dalë jashtë kontrollit.
Pavarësisht angazhimit të forcave të shumta në terren për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, flakët kanë marrë përmasa të mëdha, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta.
Ndërhyrja po vështirësohet ndjeshëm edhe nga terreni malor dhe i thyer. Në disa prej zonave të përfshira nga zjarri, mjetet zjarrfikëse nuk mund të depërtojnë, duke detyruar forcat që ndërhyrjen ta kryejnë në kushte të vështira.
Në terren vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve nga punonjësit e shërbimit zjarrfikës, strukturat e Bashkisë Bulqizë, shërbimi pyjor dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Situata mbetet dinamike, ndërsa forcat operacionale po punojnë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.