Bota
Gaza peng në grykën e ngërçit/ Plani i Trump përballë murit të hekurt të Netanyahut
“Mos krijo pengesa!”- Ky është mesazhi që, sipas raportimeve të CNN, Jared Kushner i ka përcjellë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një takimi që zgjati më shumë se katër orë në Jerusalem.
Në qendër të bisedimeve ishte plani amerikan për Gazën dhe, mbi të gjitha, çështja që vazhdon të mbajë peng zbatimin e tij: çarmatimi i Hamasit dhe tërheqja e forcave izraelite.
Netanyahu këmbëngul se Hamasi duhet të dorëzojë armët përpara një tërheqjeje të plotë të ushtrisë izraelite.
Hamasi, nga ana tjetër, ka sinjalizuar gatishmëri për çarmatim, por kërkon që procesi të zhvillohet paralelisht me tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza.
Pra, palët duket se bien dakord për objektivin, por jo për kush duhet të bëjë hapin e parë.
Takimi Netanyahu–Kushner përfundoi me një vendim për krijimin e dy grupeve pune. Njëri do të fokusohet te çarmatimi dhe demilitarizimi i Gazës, ndërsa tjetri te çështjet civile, përfshirë ujin, kanalizimet dhe shëndetësinë.
Kushner zhvilloi gjithashtu bisedime me përfaqësues të Hamasit në Egjipt, ku pala amerikane kërkoi hapa konkretë dhe të verifikueshëm drejt demilitarizimit.
Por rruga mbetet e vështirë.
Netanyahu përballet edhe me presionin e krahut të djathtë në prag të zgjedhjeve izraelite të planifikuara për fundin e tetorit dhe nuk dëshiron të shihet si i gatshëm për lëshime ndaj Hamasit.
Kështu, plani amerikan mbetet gjallë, por në ngërç.
Nyja që duhet zgjidhur është e qartë: Izraeli kërkon armët e Hamasit përpara tërheqjes, ndërsa Hamasi kërkon që të dy proceset të ecin paralelisht.
Dhe pikërisht kjo formulë mund të përcaktojë nëse plani i Trumpit për Gazën do të hyjë në fazën tjetër – apo do të mbetet peng i përplasjes Netanyahu–Hamas.
