Connect with us

Politike

Kadilli shpërthen ndaj Berishës: Do vrasë partinë përpara se të largohet nga kjo botë

Partia Demokratike nuk po reflekton përballë krizës dhe protestës qytetare, por po mbyllet gjithnjë e më shumë rreth liderit të saj.

Kështu shprehet ish-drejtuesi i PD-së dhe ish-kandidati për kryetar, Fatbardh Kadilli, i cili ka kritikuar procesin e ashtuquajtur të “ripërtëritjes” së partisë.

Sipas Kadillit, ky proces nuk ka sjellë ndryshim politik, por vetëm besnikëri ndaj Sali Berishës dhe forcim të berishizmit.

Kadilli thotë se PD-ja nuk po e dëgjon mesazhin që vjen nga protesta qytetare dhe se demokratët vazhdojnë të besojnë se problemi qëndron gjithmonë jashtë partisë.

Sipas tij, edhe thirrjet e protestuesve “Rama në burg, Berisha në burg” duhet të shërbenin si një moment reflektimi për opozitën.

Kadilli e konsideron këtë një sinjal politik që PD-ja nuk mund ta injorojë.

Ai thekson se ndërsa kryeministri Edi Rama pranon të paktën ekzistencën e një distance mes qeverisë dhe qytetarëve, në opozitë nuk po shihet i njëjti reflektim.

Kadilli e përshkruan gjendjen në PD si një parti që është reduktuar te “berishizmi”, duke e cilësuar këtë si një kulturë që nuk lejon debat dhe ndryshim të vërtetë politik.

Por deklarata më e fortë e tij lidhet me të ardhmen e Partisë Demokratike.

Duke bërë një krahasim me LDK-në e Kosovës dhe figurën e Ibrahim Rugovës, Kadilli thotë:

“Rugova vdiq dhe nuk e pa fundin e partisë së tij, ndërsa Berisha do ta vrasë partinë para se të largohet.”

Një akuzë e fortë nga një prej kritikëve të brendshëm të PD-së, që e sheh opozitën përballë një krize të thellë identiteti dhe lidershipi, ndërsa procesi i “ripërtëritjes” sipas tij nuk ka sjellë ndryshimin e premtuar.

Advertisement