Connect with us

Aktualitet

Vatikan mysliman në Tiranë/ Bektashinjtë gati për shtetin e ri, monedha dhe pasaporta

Projekti për krijimin e një mikro-shteti bektashi në Tiranë duket se po hyn në një fazë të re përgatitore. Sipas medias franceze të specializuar për inteligjencën dhe rrjetet e ndikimit, Intelligence Online, drejtuesit e Urdhrit Bektashi po punojnë për strukturat që do të shoqëronin krijimin e këtij entiteti sovran.

Projekti u prezantua publikisht nga kryeministri Edi Rama në shtator të vitit 2024 dhe parashikon një territor prej rreth 11 hektarësh në Tiranë, të cilin Rama e ka krahasuar me një “Vatikan mysliman”.

Sipas Intelligence Online, përveç strukturave institucionale, po diskutohen edhe elemente simbolike të një shteti, përfshirë krijimin e një monedhe të quajtur “bek” dhe lëshimin e pasaportave. Media franceze raporton se monedha mund të lidhet me çmimin e arit.

Në të njëjtën kohë, Baba Mondi, lideri shpirtëror i Urdhrit Bektashi, vijon takimet me delegacione të huaja në selinë botërore të bektashinjve në Tiranë.

Projekti parashikon gjithashtu krijimin e një rrjeti përfaqësuesish jashtë Shqipërisë. Sipas raportimit, Kreshnik Grezda do të ketë rolin e ambasadorit të përgjithshëm, ndërsa përfaqësues për Shtetet e Bashkuara përmendet Christopher Hyland dhe për Francën e Belgjikën, Hazis Vardar.

Raportimi përmend edhe bashkëpunime në fushën e sigurisë kibernetike, inteligjencës me burim të hapur dhe analizës së operacioneve të ndikimit.

Megjithatë, bëhet fjalë për një projekt të propozuar, ndërsa statusi i tij sovran dhe mënyra se si do të funksiononte në raport me shtetin shqiptar dhe komunitetin ndërkombëtar mbeten çështje që kërkojnë përcaktim ligjor dhe politik.

Advertisement