Rajon
Vucic ‘i përgjërohet’ Rutte për ndihmë: Turku dëshiron ta hapë urën e Ibrit, mos e lejo
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar se do t’i drejtohet me letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të kundërshtuar hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Vuçiç ka akuzuar komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutas, duke pretenduar se po mbështet planin për hapjen e urës. Presidenti serb tha se do t’i kërkojë Rutte-s që të ndërhyjë dhe të mos lejojë hapjen e saj për automjetet.
“Sot do t’i shkruaj Mark Ruttes dhe shpresoj që t’i përgjigjet letrës sime dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet”, deklaroi Vuçiç në Beograd, duke e cilësuar situatën si “turp të madh” dhe “zhgënjim”.
Ai pretendoi gjithashtu se tensionet janë rritur dhe se, sipas tij, synohet që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës.
Reagimi i Vuçiç vjen një ditë pasi Bashkimi Evropian konfirmoi se janë plotësuar kushtet për hapjen për qarkullim të automjeteve të urës kryesore mbi lumin Ibër.
Ura që lidh dy pjesët e Mitrovicës ka qenë prej vitesh një nga pikat më të ndjeshme të tensioneve mes komuniteteve dhe një çështje e diskutuar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.