Kronike
Përplasjet me policinë dhe pazaret e drogës në Francë, kush është pronari i “Principote” ku u vra turisti
Një ngjarje e rëndë u regjistrua gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte në Ksamil, ku një i ri portugez humbi jetën pasi u godit disa herë me thikë, ndërsa për ngjarjen u arrestua 29-vjeçari nga Hasi, Sokrat Vata, i cili punonte si truprojë në ambientet e “Principote”.
Pas krimit, policia shtriu hetimet në disa drejtime, ku krahas Vatës u arrestuan dy shtetas turq, të cilët dyshohet se e kanë ndihmuar atë të largohej nga vendi i ngjarjes. Po ashtu në pranga ra dhe efektivi i policisë Moisid Matushaj, i cili dyshohet se e ka ndihmuar mikun dhe kolegun e tij, pasi dyshohet se punonin bashkë si truproja, të largohej nga vendi i ngjarjes.
Në të njëjtën kohë, në kërkim është shpallur edhe Bekim Bulica, personi që rezulton i lidhur me strukturën e “Principote”, resortit luksoz që në dokumentet e biznesit figuron në emër të familjares së tij.
Emri i Bekim Bulicës nuk është i panjohur për kronikën e zezë në vendin tonë, por jo vetëm. Përpara se emri i tij të lidhej me bizneset në Ksamil, Bulica ishte përballur me drejtësinë për një ngjarje të ndodhur në Kukës dhe në vitin 2021 u arrestua në Francë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.Sipas njoftimit të Policisë të publikuar në atë kohë, Gjykata e Kukësit kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, në lidhje me një ngjarje të shtatorit 2019, ku ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të një shtetasi me inicialet F. C. Bulica u kap në Francë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në shkurt të vitit 2021.
Por dosja e tij nuk do të mbyllej me kaq. Në gusht të vitit 2021, emri i Bekim Bulicës u përmend edhe në hetimet për një plan të dyshuar arratisjeje nga burgu “313” në Tiranë. Sipas raportimeve që janë bërë aso kohe. Bulica ishte një prej të dënuarve që po hetohej se kishte dijeni mbi planin e arratisjes së Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit.
Një tjetër episod ku emri i tij u shfaq në media lidhet me një ngjarje të dhunshme të vitit 2023 në Tiranë, ku policia njoftoi për një përplasje dhe dhunim të një efektivi policie dhe vëllait të tij. Në atë kohë, një prej personave të arrestuar ishte Blerim Bulica, ndërsa Bekim Bulica dhe persona të tjerë u shpallën në kërkim. Po ashtu emri i tij është lakuar gjerësisht më herët nga mediat franceze në lidhje me hetime për një rrjet shqiptar të dyshuar për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale.
Ndërkohë në Ksamil, Bulica do të shfaqej në një tjetër rol, atë të biznesmenit që lidhet me një prej strukturave turistike më të njohura të zonës.
“Principote & Tulum Resto Lounge”, i pozicionuar përballë Tre Ishujve të Ksamilit rezulton i lidhur me shoqërinë “TORTUGA BAY”, e regjistruar në janar të vitit 2022. Të dhënat e regjistrit tregtar tregojnë se shoqëria ka një kapital fillestar prej 100 mijë lekësh, ndërsa pronare dhe administratore e regjistruar është Kade Bulica, me 100% të kuotave. Objekti i aktivitetit përfshin bar-kafe, restorant, hotel, mirëmbajtje plazhi, club dhe parking.

Pra, në dokumentet zyrtare të biznesit emri i Bekim Bulicës nuk figuron si pronar i drejtpërdrejtë i shoqërisë. Megjithatë, ai është përmendur në raportime mediatike si person i lidhur me aktivitetin dhe strukturën e resortit, ndërsa tashmë policia e ka shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë të kësaj të marte.

Pikërisht ky është edhe një prej elementëve që pritet të sqarohet nga hetuesit: çfarë roli ka pasur Bulica në strukturën e “Principote”, çfarë ka ndodhur në ambientet e resortit përpara dhe pas konfliktit fatal dhe nëse ai ka dijeni për mënyrën se si autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes.