Connect with us

Kosova

Joseph: Zelensky promovoi narrativën e Beogradit kundër Kosovës

Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Serbi ka shkaktuar reagime të forta në Ballkan, veçanërisht për deklaratat e tij lidhur me Kosovën.

Eksperti amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph, profesor në Johns Hopkins SAIS, kritikon ashpër qasjen e Zelenskyt, duke argumentuar se presidenti ukrainas, në vend që të sfidonte narrativën e Beogradit, i dha asaj më shumë hapësirë.

Në një analizë për “Vox Ukraine”, Joseph thotë se vizita i shërbeu interesave të Ukrainës, por njëkohësisht i dha presidentit serb Aleksandar Vuçiç mundësinë për të forcuar pozicionin e tij politik.

Sipas tij, Serbia vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm i Rusisë dhe Kinës në Ballkan, edhe pse përmes vendeve të treta furnizon Ukrainën me municione. Beogradi, ndërkohë, vazhdon të refuzojë vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

Joseph argumenton se kjo politikë e dyfishtë nuk do të ndryshojë nga vizita e Zelenskyt.

“Serbia nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për sanksionet ndaj Rusisë”, shkruan ai, duke shtuar se shkëputja e Beogradit nga Moska do të kërkonte reforma të thella në sundimin e ligjit, të cilat, sipas tij, pushteti aktual nuk është i gatshëm t’i ndërmarrë.

Por kritika më e fortë e ekspertit amerikan lidhet me Kosovën.

Joseph thotë se Zelensky gaboi kur e krahasoi qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës me respektimin e integritetit territorial. Ai rikujton se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2010, konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Joseph, përsëritja e narrativës serbe për Kosovën rrezikon të forcojë edhe argumentet e Kremlinit, i cili prej vitesh e përdor çështjen e Kosovës për të justifikuar pretendimet e tij ndaj Ukrainës.

Në fund, eksperti amerikan i bën thirrje Kievit të rishikojë politikën ndaj Kosovës.

Sipas tij, njohja e Kosovës nga Ukraina do t’i shërbente interesave strategjike të Kievit dhe mund të ndikonte edhe te disa vende të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Advertisement