Connect with us

Kronike

‘Duan të më vrasin’/ Zbardhet dëshmia e Ylli Zallës: Policia më ka futur në hasmëri…

Ylli Zalla, i arrestuar dy ditë më parë në Krujë, ka dhënë dëshminë e tij para gjykatës, ku u njoh edhe me masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjatë deklaratës së tij, ai ka thënë se është vetëdorëzuar dhe po priste policinë. 49-vjeçari ka mohuar se përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa ka pretenduar se ndodhet nën kërcënim për jetën.

“Duan të më vrasin. Policia më ka futur në hasmëri me…”, mësohet të ketë deklaruar Zalla para gjykatës, duke iu referuar edhe sulmit me tritol ndaj banesës së tij, ngjarje pas së cilës ai publikoi një video.

Mbrojtja ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke kundërshtuar argumentin se 49-vjeçari paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas avokatëve, armët dhe municionet e sekuestruara gjatë arrestimit janë gjetur në një zonë me ferra, pas banesës së tij, dhe nuk kanë qenë të ruajtura apo të ambalazhuara në mënyrë që të tregonin përdorim të menjëhershëm. Megjithatë, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Zallën.

Ylli Zalla u vu në pranga në orët e parë të mëngjesit të kësaj të hënë pranë banesës së tij. Në momentin e arrestimit, Ylli Zalla ishte i armatosur me automatik me tre krehëra fishekë. Ai qëndronte i fshehur në një godinë pranë banesës së tij në fshatin Zallë. Zona ku fshihej Zalla u mbajt prej ditësh ne vëzhgim me dron  ‘Bayraktar’ nga Forcat Operacionale të drejtorisë së Policisë Tiranës. Zalla fshihej në një banesë tjetër rreth 500 metra nga e tij, ku mbrëmjen e se shtunës u vendos një sasi tritoli.

Zalla ishte një nga personat e shpallur në kërkim nga autoritetet në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur në nëntor 2025 në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe Muçi Shaljani, efektiv policie. Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, pasi në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh gjatë hetimeve për atentatin. Ai dyshohet si bashkëpunëtor në ngjarjen e rëndë, e cila ende nuk është zbardhur plotësisht. Më 20 shkurt 2026, Policia zbuloi një tjetër arsenal armësh në fshatin Zall, i cili dyshohet se i përkiste 49-vjeçarit Ylli Zalla.

Zbulimi i armëve u bë në kuadër të hetimeve ndaj tij, ndërsa autoritetet vijojnë të kërkojnë prova për të dokumentuar rolin e tij në ngjarjet kriminale për të cilat dyshohet. Ylli Zalla ka qenë i arrestuar edhe rreth 12 vite më parë. Në atë kohë, ai u vu në pranga për prodhim të bombave artizanale, ndërsa dyshohej gjithashtu për përfshirje në prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Në të njëjtën periudhë, Zalla ishte hetuar edhe për dyshime mbi lidhje me ISIS, konkretisht për rekrutimin e shqiptarëve për t’iu bashkuar luftëtarëve xhihadistë. Në të kaluarën, ai është akuzuar gjithashtu për kërcënim me jetë ndaj pronarit të një kompanie çimentoje në Fushë-Krujë.

Advertisement