Bota
Deklarata e Izraelit për vrasjen e palestinezëve/ Merz: E papranueshme
Qeveria gjermane ka dënuar ashpër deklaratat e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, lidhur me thirrjet për vrasje të synuara të palestinezëve në Rripin e Gazës.
Zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, deklaroi të mërkurën në Berlin se deklaratat e Ben-Gvir janë të papranueshme dhe bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Reagimi i Berlinit vjen pas deklaratave të ministrit izraelit, i cili disa ditë më parë tha se në Gaza kishte persona që, sipas tij, “nuk meritonin të jetonin” dhe bëri thirrje për eliminime të synuara të dhjetëra personave çdo natë.
Ben-Gvir shtoi se kjo nuk duhej të kufizohej vetëm te personat që përbënin një kërcënim të menjëhershëm.
Çështja e vendosjes së sanksioneve ndaj Ben-Gvir është diskutuar prej kohësh në nivelin e Bashkimit Evropian.
Masat e mundshme mund të përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e pasurive të tij në Evropë, por një vendim i tillë do të kërkonte mbështetjen unanime të të gjitha shteteve anëtare.
Disa vende evropiane kanë ndërmarrë tashmë masa individuale ndaj ministrit izraelit, ndërsa Irlanda, Franca, Spanja dhe Sllovenia i kanë ndaluar hyrjen në territorin e tyre.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pritet të paraqesë propozime të reja në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së që do të zhvillohet në Irlandë në fillim të shtatorit. Në takim pritet të diskutohet edhe një përgjigje e mundshme ndaj politikës izraelite të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
Gjermania ka theksuar gjithashtu se Izraeli, si fuqi pushtuese sipas vlerësimit të saj, ka detyrimin të garantojë trajtim njerëzor për palestinezët, të mbrojë pronën e tyre dhe të sigurojë administrimin publik dhe ndihmën humanitare.