Aktualitet
Realitet i trishtë i pensionistëve: Pensionet nuk mjaftojnë, lëmë dhe ilaçet pa marrë
Pensionistët në Cërrik dhe Peqin thonë se të ardhurat mujore nuk mjaftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës, ndërsa ilaçet, ushqimet dhe faturat e energjisë e ujit marrin pjesën më të madhe të pensionit.
Për shumë prej tyre, muaji përfundon shumë më vonë se pensioni. Një pensioniste tregon se nga 93 mijë lekë që merr në muaj, rreth 50 mijë lekë i shkojnë vetëm për medikamente. Ajo thotë se në muajt kur shpenzimet rriten, detyrohet të heqë dorë edhe nga ilaçet.
“93 mijë lekë. Unë 50 mijë lekë marr ilaçe. Ka raste dhe ilaçet i lëmë pa marrë se s’i përballojmë dot”, tregon ajo.
Edhe pensionistë të tjerë shprehen se çmimet nuk janë në raport me të ardhurat që marrin dhe se pensioni shkon pothuajse i gjithi për nevojat më të domosdoshme.
Një tjetër pensionist thotë se pas ilaçeve dhe ushqimeve duhet të paguajë qiranë, energjinë elektrike dhe ujin, duke theksuar se të ardhurat mujore nuk mjaftojnë për të përballuar të gjitha këto shpenzime.
“Sa e merr dhe e çon direkt te ilaçet, qiratë, drita, uji, faturat. Nuk mbyllen dot. Me 174 mijë lekë të marrësh ilaçet, ushqimet, për një muaj, bëhet? S’bëhet gjë”, shprehet ai.
Një tjetër pensionist tregon se familja e tij mbështetet edhe te fëmijët që jetojnë jashtë vendit për të përballuar shpenzimet. Sipas tij, kostot e trajtimeve dhe ndërhyrjeve mjekësore janë veçanërisht të vështira për t’u përballuar me të ardhurat e një pensionisti.
Për të moshuarit e intervistuar, rritja e kostos së jetesës shoqërohet çdo muaj me zgjedhje të vështira: të blejnë ilaçet, të paguajnë faturat apo të sigurojnë ushqimet bazë. Ata thonë se pensionet nuk janë në të njëjtin ritëm me rritjen e shpenzimeve dhe se në shumë raste mbështetja e familjarëve mbetet e domosdoshme për të përfunduar muajin.