Bota
NGA HORMUZI NE KRETE/ Lufta spostohet në Europë, Qipro e Bullgaria në shenjestër
Sipas Financial Times, Teherani po shqyrton skenarë për sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropën Juglindore, në rast se Shtetet e Bashkuara vendosin të përshkallëzojnë konfliktin.
Mes zonave të përmendura në këto skenarë janë Qiproja dhe Bullgaria.
Në këtë situatë, Pentagoni po shqyrton masa shtesë për forcimin e mbrojtjes ajrore në rajon. Një prej opsioneve që po vlerësohet është transferimi i një sistemi raketor “Patriot” nga Karpathosi drejt Kretës, me synim forcimin e mbrojtjes së zonës së Sudës.
Ndërkohë, prania ushtarake amerikane dhe britanike në Qipro mbetet një tjetër pikë e ndjeshme. Avionë luftarakë, personel dhe një anije e Marinës kanë qëndruar në ishull që prej sulmeve iraniane ndaj zonës së Akrotirit.
Sipas informacioneve të publikuara nga Financial Times, forcat iraniane kanë vlerësuar mundësinë e goditjes së instalimeve amerikane në Evropën Juglindore, përfshirë bazat që mund të përdoren nga Shtetet e Bashkuara në Bullgari.
Një tjetër skenar i shqyrtuar nga Teherani lidhet me kabllot nënujore të komunikimit në zonën e Ngushticës së Hormuzit, në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.
Në Uashington, ndërkohë, situata po ndiqet me vëmendje të lartë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të martën se nuk ka aktualisht asnjë bisedë apo kontakt të planifikuar me Teheranin.
Nga ana tjetër, drejtues të Gardës Revolucionare dhe komandantë të tjerë iranianë kanë paralajmëruar se, në rast të një konflikti të ri në shkallë të gjerë, përgjigjja e Iranit mund të shtrihet përtej Lindjes së Mesme.
Një burim i cituar nga Financial Times ka deklaruar se, nëse Shtetet e Bashkuara “shkojnë shumë larg”, Irani mund të godasë objektiva në Evropë.
Por sa real është kërcënimi?
Sipas studiuesit të RUSI-t, Siddharth Kaushal, kapaciteti iranian për të goditur objektiva në Evropën Jugore dhe Juglindore ekziston, por efektiviteti i raketave në distanca më të mëdha mbetet i kufizuar.
Në këtë klimë tensioni, Greqia po shqyrton forcimin e mbrojtjes së saj kundërajrore, ndërsa në rast të një kërkese të re nga Bullgaria, Athina mund të shqyrtojë edhe mbështetjen për mbulimin antiajror të zonave të caktuara.
E gjithë situata mbetet e varur nga hapi i radhës i Uashingtonit dhe përgjigjja që mund të japë Teherani.
Tensioni në Lindjen e Mesme tashmë po shtrihet në Evropë, ndërsa bazat amerikane dhe aleatët e SHBA-së në rajon po përgatiten për çdo skenar të mundshëm.