✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

VALA PËRVËLUESE, ZJARRE DHE PANIK, EUROPA PËRBALLET ME DITËT MË TË VËSHTIRA

Europa po përballet me një prej episodeve më shqetësuese të motit ekstrem. Një valë përvëluese ka pushtuar kontinentin, duke çuar temperaturat në nivele alarmante dhe duke ndezur njëkohësisht rrezikun e zjarreve masive në pyje.

Në Spanjë, situata është veçanërisht dramatike.

Flakët kanë shpërthyer në disa rajone, ndërsa zjarrfikësit vijojnë një betejë të vështirë për të frenuar përhapjen e tyre.

Autoritetet po përgatiten për masa të tjera emergjente, nëse situata përkeqësohet.

Por makthi nuk ndalet te zjarret.

Temperaturat në Spanjë pritet të arrijnë deri në 40°C, ndërsa agjencia meteorologjike Aemet ka vendosur disa rajone në nivelin ekstrem të alarmit për të nxehtin. Paralelisht, rreziku për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve është vlerësuar “i lartë” deri në “shumë të lartë”.

FRANCËN E MBULON ALARMI

Edhe Franca ndodhet nën presionin e një vale të fortë të të nxehtit. Gati 80 rajone janë vendosur në alarm portokalli për vapën, ndërsa 45 rajone përballen me alarm për rrezikun e zjarreve në pyje.

Situata bëhet edhe më kritike nga thatësira e fortë, e cila ka detyruar autoritetet të vendosin kufizime në përdorimin e ujit. Ujitja dhe përdorimi i shatërvanëve janë ndër aktivitetet që janë prekur nga masat kufizuese.

ITALIA NË GATISHMËRI

As Italia nuk po i shpëton temperaturave ekstreme. Vapa e fortë pritet të vazhdojë të paktën gjatë fundjavës, duke rritur shqetësimin për pasojat në shëndetin e qytetarëve.

Javën e kaluar, Ministria italiane e Shëndetësisë ndërmori një masë të paprecedentë: të gjitha qytetet kryesore u vendosën në nivelin më të lartë të alarmit shëndetësor për shkak të temperaturave ekstreme.

Advertisement