Connect with us

Bota

Lufta ndryshon front/ Trump godet Iranin me armën ekonomike dhe kërcënon aleatët

Presidenti amerikan Donald Trump ka hapur një front të ri kundër Iranit, këtë herë me armën ekonomike.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin e tij social, Trump njoftoi atë që e cilësoi si “operacionin ekonomik më shkatërrues” të ndërmarrë ndonjëherë kundër një vendi, duke e pagëzuar këtë fazë të presionit si “Economic D-Day”.

Sipas presidentit amerikan, Teherani ka humbur mundësinë për të arritur një marrëveshje me Washingtonin dhe tashmë Shtetet e Bashkuara do të kalojnë në një fazë të re izolimi ekonomik.

Por kërcënimi i Trump nuk është drejtuar vetëm ndaj Iranit.

Presidenti amerikan paralajmëroi se çdo shtet, kompani, bankë apo institucion që i ofron Iranit një “linjë shpëtimi” ekonomike do të përballet me pasoja të rënda amerikane. Në fokus janë institucionet financiare, bizneset, aeroportet dhe entitetet qeveritare që mund të ndihmojnë Teheranin të anashkalojë sanksionet.

Trump kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të një sërë kanalesh përmes të cilave, sipas tij, Irani vazhdon aktivitetin ekonomik ndërkombëtar.

Në listën e tij përfshihen kontrabanda e naftës, transfertat cash, zyrat e këmbimit valutor, linjat e shkëmbimit financiar, regjistrat e anijeve dhe kompanitë fasadë.

Trump shkoi edhe më tej në përshkrimin e gjendjes së Iranit. Ai pretendoi se marina iraniane është shkatërruar, forcat ajrore janë dëmtuar rëndë, ndërsa fabrikat ushtarake janë kthyer në rrënoja dhe monedha iraniane është zhvlerësuar.

Irani ka reaguar ndaj fushatës së re ekonomike të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se strategjia e Uashingtonit nuk do të arrijë objektivat e saj.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se fushata e quajtur nga Trump “Economic D-Day” do t’i sjellë Shteteve të Bashkuara “një tjetër humbje” dhe do të thellojë armiqësinë e iranianëve ndaj SHBA-së.

Në një reagim në platformën X, Araghchi argumentoi se iniciativa e Trump synon të largojë vëmendjen nga problemet ekonomike të vetë Shteteve të Bashkuara.

“I ashtuquajturi ‘Economic D-Day’ është një devijim i vëmendjes nga kriza e vetë Amerikës: borxhi i paprecedentë dhe rritja e kostove të interesit”, shkroi kryediplomati iranian.

Araghchi deklaroi gjithashtu se vazhdimi i kësaj strategjie do të prodhojë, sipas tij, të njëjtin rezultat për Uashingtonin.

“Vazhdimi i politikave të dështuara do të sjellë vetëm një tjetër humbje dhe armiqësi nga iranianët”, tha ai.
Ministri iranian e cilësoi presionin e Uashingtonit si “terrorizëm ekonomik”, duke theksuar se masa të tilla kërcënojnë jo vetëm Iranin, por edhe ekonominë globale dhe sovranitetin e vendeve të tjera.

Advertisement