Politike
Tensione në Këshillin Bashkiak në Maliq, i moshuari me shkop përplaset me kryetarin e seancës
Mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak të Maliqit, e thirrur nga opozita për të diskutuar reformën administrativo-territoriale, ka zgjatur vetëm 20 minuta, ndërsa nuk kanë munguar debatet pas mbylljes së saj dhe braktisjes së sallës nga këshilltarët e majtë.
Në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar që Këshilli Bashkiak Maliq do t’i përcillte Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes territoriale. Ndërsa mbledhja ishte njoftuar të niste rreth orës 10:00, grupi i këshilltarëve të majtë lexoi një deklaratë ku njoftoi mospjesëmarrjen në vendimmarrje lidhur me propozimin që duhej t’i dërgohej parlamentit.
Menjëherë pas kësaj, kryetari i këshillit deklaroi mbylljen e mbledhjes, çka nxiti reagime të forta nga përfaqësuesit e opozitës dhe qytetarët e pranishëm. Salla u boshatis brenda pak sekondash nga këshilltarët e mazhorancës, ndërsa këshilltarët e opozitës dhe qytetarët reaguan ashpër për mbylljen e mbledhjes dhe vijuan me deklaratat e tyre për mediat nga brenda ambienteve të këshillit.
Më herët, këshilli i Bashkisë Maliq ka zhvilluar takimet me qytetarët për të marrë mendimin e tyre në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë në lidhje me propozimin për bashkimin e Bashkisë së Maliqit me Korçën dhe sot pritej finalizimi i këtij procesi, por maxhoranca ka refuzuar të japë një qëndrim, edhe për shkak të paqartësisë së këtij propozimi.