Kronike
Goditën shefin e krimeve, Prokuroria e Sarandës lë në burg gjashtë të akuzuarit
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u dha masa e sigurisë ‘Arrest me burg’ për gjashtë shtetasit A.K., B.S., E.N., F.H., I.Ç., dhe M.K. të akuzuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 237/3 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr. 594, datë 17.08.2026, nisën pasi më datë 16.08.2026, në orët e para të mëngjesit Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, shtetasi M. B., ndërhyu për neutralizimin e një konflikti mes punonjësve të sigurisë së klub “Orange”, Sarandë, të cilët ishin duke goditur disa shtetas.
Pavarësisht se ky shtetas kur u afrua u prezantua se ishte Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ai u godit nga punonjësit e sigurisë.
Me vendimin datë 19.08.2026, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës se sigurimit “Arrest me burg” parashikuar nga neni 238 k.Pr.Penale për gjashtë shtetasit e arrestuar.