Connect with us

Kronike

Tragjedia ishte paralajmëruar/ Del në dritë Dosja Nr.2 e Refit Buzit

Masakra e ndodhur në korrik 2026 në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Refit Buzi vrau me armë gjahu ish-vjehrrin Kosta Plaka dhe ish-vjehrrën Belere Plaka, përpara se t’i jepte fund edhe jetës së tij, rezulton të ketë pasur një paralajmërim të fortë muaj më herët.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetari Elton Qyno, ish-e fejuara e Buzit, Rosalinda Plaka, kishte bërë denoncime në polici për kërcënime serioze ndaj saj. Ajo kishte deklaruar se ish-partneri e kërcënonte vazhdimisht me vrasje, e përndiqte dhe e shantazhonte, ndërsa kishte tentuar edhe ta merrte me forcë.

Në një prej dëshmive, ajo kishte treguar se Buzi i kishte thënë: “Do të vras nëse ndahesh prej meje” dhe “nuk ke për të jetuar asnjë ditë të qetë nëse të shoh me dikë tjetër”. Sipas saj, ai e kishte kërcënuar gjithashtu me publikimin e videove intime në rrjetet sociale dhe kishte kërcënuar edhe familjarët e saj.

Për këto akuza, në nëntor 2025, Refit Buzi ishte arrestuar dhe ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg” për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Përndjekjes”. Vendimi ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Tiranë më 22 dhjetor 2025.

Megjithatë, sipas të dhënave të dosjes, më vonë masa e sigurisë ndaj tij është ndryshuar dhe Buzi ka dalë nga qelia.

Rrethanat dhe vendimi që çuan në lirimin e tij mbeten për t’u sqaruar.

Dosja përshkruan edhe një episod të rëndë të ndodhur në nëntor 2025. Rosalinda kishte deklaruar se Buzi e kishte kapur për krahu dhe i kishte treguar një armë, ndërsa e kërcënonte se do ta qëllonte. Edhe kunata e saj, e cila kishte qenë e pranishme, kishte dhënë dëshmi për kërcënimin dhe frikën që kishte shkaktuar ngjarja.

Sipas hetimeve, Buzi kishte vijuar me mesazhe dhe kërcënime edhe pas denoncimit, ndërsa familjarët e Rosalindës kishin shprehur shqetësim për sjelljen e tij. Prokuroria e kishte konsideruar atë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Muaj më vonë, frika e ngritur në denoncimet e vitit 2025 u shndërrua në tragjedi. Në Vidhisht të Roskovecit, Refit Buzi vrau me armë gjahu ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën e tij, Kosta dhe Belere Plakën, ndërsa gjatë rrethimit nga policia dhe forcat RENEA vrau edhe veten.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si u trajtuan denoncimet e mëparshme dhe mbi arsyet që çuan në ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Buzit, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat që paraprinë masakrën.

Advertisement