Connect with us

Bota

Nga bombat te “shkatërrimi ekonomik”/ Trump ndryshon strategji ndaj Iran-it

Presidenti amerikan Donald Trump raportohet se po ndryshon strategjinë ndaj Iranit, duke kaluar nga presioni ushtarak te një ofensivë ekonomike që synon të godasë burimet financiare dhe tregtare të Teheranit.

Sipas raportimeve të CNN, Trump ka ndërprerë bisedimet me Iranin dhe po shqyrton një fushatë presioni maksimal, me synimin për të dobësuar ekonominë iraniane dhe për ta detyruar regjimin të ndryshojë qëndrim.

Në një postim në “Truth Social”, presidenti amerikan paralajmëroi masa ndaj çdo vendi që lejon bankat, bizneset, aeroportet apo institucionet qeveritare të ofrojnë mbështetje për Iranin. Ai kërkoi ndalimin e rrjeteve të kontrabandës së naftës, transfertave financiare, kompanive fasadë dhe mekanizmave të tjerë që ndihmojnë Teheranin të anashkalojë sanksionet.

Kjo strategji vjen pas muajsh përshkallëzimesh dhe ndryshimesh të njëpasnjëshme të kursit amerikan ndaj Iranit. Trump pretendon se situata është nën kontroll, por objektivi i ri duket të jetë izolimi ekonomik i Republikës Islamike.

Ekspertët, megjithatë, janë skeptikë se presioni ekonomik do të mjaftojë për ta detyruar Iranin të kapitulllojë. Daniel Citrinowicz, ish-zyrtar i inteligjencës izraelite, argumenton se Teherani ka përballuar për dekada sanksione të rënda dhe se goditja ekonomike mund t’i shkaktojë dëme të mëdha, por jo domosdoshmërisht të ndryshojë llogaritjet strategjike të regjimit.

Një tjetër problem për administratën Trump është koha. Dobësimi i ekonomisë iraniane mund të kërkojë muaj ose vite, ndërsa një strategji e tillë do të kërkonte bashkëpunimin e aleatëve në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme.

Në qendër të krizës mbetet edhe Ngushtica e Hormuzit, një prej pikave më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Çdo përshkallëzim në këtë zonë mund të godasë tregjet ndërkombëtare dhe të rrisë çmimet e karburanteve, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë amerikane.

Irani, nga ana tjetër, mund të tentojë të kundërpërgjigjet duke rritur presionin mbi trafikun detar dhe tregjet e energjisë. Kjo do ta vendoste Trumpin përballë një dileme të vështirë: nëse përgjigjet ushtarakisht, rrezikon një përshkallëzim të ri; nëse përmbahet, mund të përballet me akuza për dobësi.

Për më tepër, çdo luftë ekonomike kundër Iranit mund të ketë kosto edhe për amerikanët, përmes rritjes së çmimeve të naftës, karburanteve dhe produkteve të konsumit.

Në këtë pikë, pyetja kryesore mbetet nëse Trump do ta çojë deri në fund strategjinë e “luftës ekonomike” apo nëse kjo është një tjetër manovër presioni ndaj Teheranit. Sepse nëse Irani nuk tërhiqet, alternativa e radhës mund të jetë sërish përshkallëzimi ushtarak.

Advertisement