✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

MESAZHI I FRIKSHËM I IRANIT: QIPRO NUK ËSHTË OBJEKTIV, BAZAT BRITANIKE PO

Qiproja nuk është objektiv i Iranit.

Ky është mesazhi që Teherani u ka përcjellë autoriteteve qipriote, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rrisin shqetësimet për një zgjerim të konfliktit drejt Mesdheut.

Por krahas mesazhit qetësues për Qipron, Irani ka vendosur edhe një vijë të kuqe.

Sipas burimeve diplomatike iraniane, bazat ushtarake britanike në ishull nuk do të konsiderohen objektiva për sa kohë që nuk përdoren në operacione ushtarake kundër Iranit.

Në qendër të vëmendjes është RAF Akrotiri, një prej bazave më strategjike britanike në Mesdheun Lindor.

Komunikimi mes Nikozisë dhe Teheranit vijon përmes kanaleve diplomatike, ndërsa në fokus janë pikërisht aktivitetet ushtarake që mund të zhvillohen nga bazat britanike në territorin e Qipros.

Shqetësimi është shtuar pas raportimeve se Irani ka shqyrtuar skenarë për goditjen e aseteve ushtarake amerikane në Evropën Juglindore, në rast të një përshkallëzimi të konfliktit.

Në këto raportime është përmendur edhe Qiproja si një prej vendeve ku mund të ndodheshin objektiva të mundshëm.

Por burimet iraniane të kontaktuara nga pala qipriote kanë kundërshtuar interpretimin se Qiproja është objektiv i drejtpërdrejtë i Teheranit.

Edhe autoritetet qipriote kanë përcjellë mesazhin se komunikimi me Iranin vazhdon dhe se vendi nuk konsiderohet objektiv.

Megjithatë, pika më e ndjeshme mbeten zonat sovrane britanike të Akrotirit dhe Dhekelisë.

Britania i mban këto baza nën sovranitetin e saj që prej pavarësisë së Qipros në vitin 1960.

Akrotiri ka një rëndësi të veçantë strategjike për operacionet britanike në Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme.

Dhe pikërisht kjo e vendos bazën në qendër të tensioneve.

Në muajt e fundit, baza është përballur edhe me kërcënime ajrore. Një dron ka goditur zonën e bazës, ndërsa zyrtarët perëndimorë kanë shprehur dyshime për lidhje me Iranin.

Londra ka mohuar se RAF Akrotiri është përdorur për sulme amerikane kundër Iranit.

Por Teherani ka qenë i qartë në paralajmërimet e tij: çdo bazë e huaj që përdoret për sulme kundër territorit iranian mund të konsiderohet objektiv.

Kjo e vendos Qipron në një pozitë delikate.

Nga njëra anë, Nikozia kërkon të qëndrojë jashtë konfliktit.

Nga ana tjetër, në territorin e ishullit ndodhen baza ushtarake britanike, të cilat kanë një rol strategjik në rajon.

Britania, ndërkohë, ka forcuar masat e sigurisë rreth Akrotirit dhe ka planifikuar sisteme të reja paralajmërimi për sulme ajrore.

Në sfond është edhe një çështje tjetër e sigurisë.

Autoritetet britanike kanë kërkuar ekstradimin e një shtetasi britaniko-azerbajxhanas të arrestuar në Qipro, i cili dyshohet se ka kryer vëzhgim të bazës RAF Akrotiri dhe se ia ka transmetuar informacionet Gardës Revolucionare të Iranit.

Çështja mbetet në proces gjyqësor dhe akuzat duhet të provohen.

Për momentin, mesazhi i Teheranit është i dyfishtë:

Qiproja nuk është objektiv. Por përdorimi i bazave britanike kundër Iranit mund ta ndryshojë situatën.

Dhe kjo e bën Akrotirin një prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në Mesdheun Lindor.

Nëse konflikti zgjerohet, Qiproja rrezikon të gjendet në vijën e parë të një përplasjeje që deri tani ka qenë e përqendruar kryesisht në Lindjen e Mesme.

Advertisement