Kosova
ARMËT QË MUND TË ZBULOJNË NJË MASAKËR, HETIMET ZGJEROHEN NË ZUBIN POTOK
Një arsenal i madh armësh, municionesh dhe uniformash ushtarake është zbuluar në 12 lokacione në zonën e Zubin Potokut, pranë tre vendeve ku gjatë gërmimeve janë gjetur mbetjet mortore të të paktën 23 personave.
Autoritetet e Kosovës dyshojnë se këto mbetje mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999, të njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”, mes të cilëve kishte mjekë, profesorë dhe juristë.
Gjatë kontrolleve në 48 lokacione, policia sekuestroi pushkë të ndryshme, municione, armë të shkurtra, pajisje shpërthyese dhe uniforma ushtarake.
Autoritetet dyshojnë se një pjesë e arsenalit mund të jetë përdorur në vrasjen e personave të zhdukur, por kjo mbetet për t’u verifikuar përmes ekspertizave balistike dhe forenzike.
Gërmimet në Zubin Potok nisën pas një hetimi dyvjeçar për krime të dyshuara lufte. Tre persona janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e fatit të 23 viktimave vijojnë.
Autoritetet dyshojnë se këto armë mund të jenë përdorur për të vrarë 23 persona, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në Zubin Potok. Megjithatë, policia tha se ky dyshim duhet të verifikohet.
“Zbulimi i këtyre varreve masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, pavarësisht se është skenë e krimeve të rënda kundër civilëve, është shfrytëzuar edhe për të fshehur trupat dhe krimet”, tha ministri Sveçla në një konferencë për shtyp në Mitrovicë.
Ai u shpreh se armët tani do t’i nënshtrohen analizës për të përcaktuar nëse ato janë përdorur për të vrarë 23 personat e gjetur në varre masive të dyshuara në veri apo në raste të tjera.
Sipas tij, puna e institucioneve nuk mbaron këtu, por do të vazhdojë me sqarimin e rrethanave, identifikimin e përgjegjësve dhe “mbi të gjitha, me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për të gjithë të vrarët, masakruarit ose të zhdukurit me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se dyshohet se këto armë mund të jenë përdorur për të vrarë anëtarët e “grupit të intelektualëve nga Mitrovica”.
Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”, është zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Midis tyre kishte mjekë, profesorë, juristë dhe profile të tjera.
“Këto janë dyshimet tona se pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive, në rastin e grupit të intelektualëve, por këto mbeten për t’u verifikuar pas ekzaminimeve që do të kryhen në laboratorët e Kosovës, por nëse është e nevojshme, ato do të dërgohen edhe jashtë vendit. Kanë mbetur informacione që duhen verifikuar”, tha Hoxha.