Connect with us

Kronike

Shqiptari e la në shkallët e spitalit të larë në gjak/ Autopsia: Italiania vdiq nga dhuna

Autopsia ka konfirmuar se 46-vjeçarja italiane Ornella Forastefano humbi jetën si pasojë e dhunës. Sipas mediave italiane, testet radiologjike të kryera pas vdekjes kanë evidentuar trauma dhe lëndime të shumta në trupin e saj.

Forastefano u gjet e pajetë përpara spitalit të Trebisacce, ndërsa për ngjarjen është arrestuar partneri i saj shqiptar, 42-vjeçari Elvis Metvelaj. Ai ndodhet aktualisht në burg, pasi u ndalua nga policia kufitare në portin e Barit, teksa dyshohet se po përpiqej të largohej nga Italia pas ngjarjes.

Metvelaj nuk e ka pranuar akuzën. Para autoriteteve, ai ka deklaruar se partnerja e tij kishte rënë nga shkallët.

Ndërkohë, emri i Elvis Metvelajt nuk është i panjohur për autoritetet italiane. 42-vjeçari është përmendur edhe në një prej hetimeve të rëndësishme për trafikun e drogës në Kalabri.

Në atë kohë, Metvelaj ishte vetëm 24 vjeç dhe njihej me pseudonimin “Majmuni”. Ai dyshohej se ishte pjesë e një grupi prej rreth 20 personash, të cilët ishin nën hetim për trafik droge.

Hetimet për vdekjen e Ornella Forastefanos vijojnë, ndërsa rezultatet e autopsisë kanë hedhur poshtë versionin fillestar të paraqitur nga partneri i saj dhe pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Advertisement