Kronike
“Më ofendoi para familjarëve”/ Zbardhet versioni i 70-vjeçarit që plagosi Bruçin
Detaje të reja kanë dalë nga hetimi për plagosjen me armë zjarri të Vladimir Bruçit në Shkodër, ngjarje për të cilën është arrestuar 70-vjeçari Pjerin Bitani.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, konflikti mes dy fqinjëve dyshohet se ka nisur për shkak të kamerave të sigurisë të vendosura në zonën e parkimit të Bruçit.
Bitani, i cili kishte një lokal pranë parkimit, kishte shprehur shqetësimin se kamerat ishin të orientuara edhe nga ambienti i tij dhe jo vetëm nga hapësira që duhej të monitoronin. Përplasja mes dy fqinjëve më pas ka vijuar në rrugën pranë lokalit, ku debati verbal është përshkallëzuar.
Në dëshminë e dhënë në polici, 70-vjeçari ka pretenduar se Bruçi e ka ofenduar në prani të familjarëve që ndodheshin në lokal. Sipas versionit të tij, pikërisht në atë moment ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Bruçit.
Nga të shtënat, Vladimir Bruçi mbeti i plagosur dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Sipas autoriteteve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Raportimet paraprake flasin për dy të shtëna të drejtuara ndaj tij, ndërsa një prej plumbave ka dëmtuar edhe një automjet që ndodhej i parkuar pranë vendit të ngjarjes.
Pas konfliktit, Pjerin Bitani u largua nga vendi i ngjarjes dhe u fsheh për disa orë në zonën e lagjes “Rus”. Policia zhvilloi kontrolle për lokalizimin e tij, ndërsa familjarët e 70-vjeçarit u përfshinë në negociata me autoritetet.
Pas negociatave, Bitani u vetëdorëzua në polici dhe më pas u arrestua për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Një nga elementet kryesore që po hetohet është edhe arma e përdorur në atentat. Sipas burimeve të hetimit, Bitani ka pretenduar se e ka hedhur armën gjatë largimit, por nuk ka treguar vendndodhjen e saktë. Pavarësisht kontrolleve të kryera nga policia, arma ende nuk është gjetur.
Në fokusin e hetuesve janë edhe kamerat e sigurisë, të cilat dyshohet se janë bërë shkak i konfliktit. Policia po punon për sekuestrimin dhe administrimin e pamjeve, që mund të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së përplasjes dhe momentit të të shtënave.
Vladimir Bruçi është një emër i njohur për kronikën e Shkodrës. Në qershor të vitit 2024, ai u dhunua në të njëjtën zonë pas një konflikti për një vendparkimi. Për atë ngjarje, Gjykata e Shkodrës dënoi tre persona.
Hetimet për ngjarjen e re vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Deklarimet e Pjerin Bitanit, pamjet e kamerave të sigurisë dhe gjetja e armës pritet të jenë ndër provat kryesore për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në plagosjen me armë të Vladimir Bruçit.