Connect with us

Politike

PER QEVERINE KA NISUR NUMERIMI MBRAPSH

Partia Socialiste po hyn në ditët e saj më të nxehta të gushtit. Ndërsa sesioni i ri politik po afron, Edi Rama ka nisur një sprint dyditor në Pogradec, ku ministrat, drejtuesit politikë dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare do të përballen me një “provim” të drejtpërdrejtë për performancën e tyre.

Të dielën, në vilën qeveritare të Pogradecit, Rama do të mbledhë 12 drejtuesit politikë të qarqeve së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë dokumenti “Besa” dhe dokumenti “Prania e Besës”, me synimin për t’i përpunuar më tej dhe për t’i kthyer në një dokument final të PS-së.

Por përtej dokumenteve, takimi ka një tjetër peshë politike: përgatitjen e socialistëve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Në mbrëmje, Rama pritet të ulet në tryezë me ministrat, drejtuesit politikë dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare. Një darkë që mund të duket si moment informal, por që vjen në një klimë të fortë pritshmërish dhe pasigurie brenda mazhorancës.

Të hënën nis “provimi” i vërtetë.

Në retreat-in qeveritar, ministrat do të raportojnë për performancën e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026. Këtë herë formati është më i ngushtë: në fokus do të jenë ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre, ndërsa zëvendësministrat nuk do të marrin pjesë.

Si në retreat-et e mëparshme, performanca nuk do të matet vetëm me punën administrative. Prezenca në media dhe aktiviteti në rrjetet sociale do të jenë gjithashtu pjesë e “bilancit” të ministrave.

Por ajo që e bën edhe më të fortë pritshmërinë politike është ajo që mund të ndodhë pas Pogradecit.

Burime nga PS bëjnë me dije se Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pritet të mblidhet në javën e parë të shtatorit. Dhe historia e mbledhjeve të mëparshme të Asamblesë ka treguar se Rama e ka përdorur këtë forum për të paralajmëruar ose bërë ndryshime në kabinet.

Kështu, pyetja që po qarkullon brenda PS-së është e drejtpërdrejtë:

A po përgatit Rama një tjetër ndryshim të madh në qeveri?

Nëse pritshmëritë aktuale konfirmohen, në skenar mund të jetë edhe ndryshimi i drejtimit të të paktën gjashtë ministrive.

Për ministrat, dy ditët e Pogradecit mund të jenë më shumë se një raportim rutinë. Mund të jenë momenti kur Rama vendos se kush kalon provimin dhe kush del nga kabineti.

Advertisement