Connect with us

Bota

Nafta mbi 94 dollarë/ Tensionet SHBA-Iran ndezin alarmin, a rrezikohet rritje e karburanteve në shqipëri?

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po rikthejnë presionin mbi tregjet e energjisë, ndërsa çmimi i naftës Brent është ngjitur mbi 94 dollarë për fuçi.

Nafta Brent e mbylli të premten në 94.39 dollarë për fuçi, me një rritje javore prej rreth 6.4%, ndërsa WTI arriti në 87.06 dollarë. Lëvizja vjen në një moment kur Uashingtoni paralajmëron sanksione të reja të forta ndaj Iranit dhe vendeve që vazhdojnë marrëdhëniet ekonomike me Teheranin.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pritet të prezantojë të hënën paketën e re të sanksioneve, ndërsa Irani ka paralajmëruar se do t’u përgjigjet kërcënimeve të reja amerikane.

Në qendër të krizës është sërish Ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë. Trafiku i naftës në këtë zonë mbetet dukshëm nën nivelet normale, ndërsa kufizimi i furnizimeve iraniane po shton pasigurinë në treg.

PO SHQIPËRIA?

Rritja e çmimit ndërkombëtar nuk përkthehet automatikisht në të njëjtën masë në pikat shqiptare të karburantit, por rrit rrezikun për presion mbi çmimet vendase nëse tendenca vazhdon.

Edhe metodologjia që përdoret në Shqipëri për përcaktimin e çmimeve të karburanteve merr në konsideratë kuotimet ndërkombëtare të produkteve të naftës sipas S&P Global Platts, së bashku me kursin, detyrimet fiskale dhe marzhet e tregtimit.

Kjo do të thotë se ajo që ndodh mijëra kilometra larg, në Hormuz, mund të përfundojë duke u ndier edhe në faturën e një shoferi shqiptar.

Tashmë vëmendja është te e hëna: sa të forta do të jenë sanksionet amerikane dhe si do të reagojë tregu i naftës?

Nëse Brent vazhdon ngjitjen, presioni mbi çmimet e karburanteve mund të rikthehet edhe në tregun shqiptar.

 

Advertisement