Connect with us

Bota

Alarm diplomatik nga Londra dhe Parisi/ 102 ish-diplomatë: Palestina po fshihet para syve tanë

Një apel i fortë vjen nga 102 ish-diplomatë britanikë dhe francezë, të cilët paralajmërojnë se perspektiva për krijimin e një shteti palestinez po shkatërrohet dhe kërkojnë masa konkrete ndaj Izraelit.

Në një letër të përbashkët drejtuar drejtuesve të Francës dhe Britanisë, ish-diplomatët deklarojnë se “Palestina po fshihet para syve tanë”, duke kërkuar që Parisi dhe Londra të mos mjaftohen vetëm me deklarata politike.

Mes nënshkruesve janë ish-ambasadorë dhe diplomatë të nivelit të lartë me përvojë në OKB dhe Lindjen e Mesme.

AKUZA TË RËNDA PËR BREGUN PERËNDIMOR

Në apel ngrihet alarmi për zhvillimet në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor, përfshirë prishjen e banesave palestineze, zgjerimin e vendbanimeve izraelite dhe dhunën e kolonëve.

Autorët e letrës përdorin termin “spastrim etnik” për të përshkruar disa prej zhvillimeve, ndërsa njëkohësisht dënojnë sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023.

Sipas tyre, megjithatë, krimet e Hamasit nuk mund të përdoren si justifikim për politikat izraelite ndaj popullsisë palestineze.

KËRKOJNË NDALIM ARMËSH DHE SANKSIONE

102 ish-diplomatët kërkojnë një paketë masash të forta, mes tyre:

– pezullimin e transferimit të armëve drejt dhe nga Izraeli;
– kufizimin e bashkëpunimit ushtarak;
– masa ndaj marrëveshjeve tregtare me Izraelin;
– ndalimin e tregtisë dhe investimeve të lidhura me vendbanimet izraelite në territoret palestineze.

Apeli vjen në një moment kur presioni diplomatik evropian ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut po rritet, ndërsa disa vende evropiane kanë kundërshtuar publikisht edhe projektin izraelit E1 në Bregun Perëndimor.

Letra e 102 ish-diplomatëve shënon një tjetër përshkallëzim të presionit ndërkombëtar, duke e zhvendosur debatin nga deklaratat politike drejt kërkesave për masa dhe pasoja konkrete ndaj Izraelit.

 

Advertisement