Connect with us

Kosova

25-vjeçarja shtatzënë u qëllua nga bashkëshorti? Detaje tronditese nga ngjarja në Kosovë

Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Kërvasari të Malishevës, ku një 25-vjeçare humbi jetën dhe burri i saj mbeti i plagosur rëndë në rrethana të paqarta.

Sipas informacioneve të reja të raportuara nga mediat në Kosovë, dyshohet se bashkëshorti ka qëlluar me armë gruan e tij, e cila mbeti e plagosur rëndë dhe humbi më pas jetën rrugës për në spital.

Policia e Kosovës konfirmoi se efektivët mbërritën menjëherë në vendngjarje pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri. Në një dhomë gjumi, ata gjetën çiftin të plagosur.

Të dy u transportuan drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për ndihmë mjekësore. Sipas njoftimit të QKUK-së, rreth orës 00:15 të 24 gushtit, në Qendrën Emergjente u pranuan dy persona nga rajoni i Malishevës.

“Njëra prej personave të pranuar, femër, 25-vjeçare, ka arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së. Gruaja, e cila sipas raportimeve ishte shtatzënë, nuk mundi të mbijetojë.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, 26 vjeç, u dërgua në spital me plagë armë zjarri dhe vijon të marrë trajtim mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore raportohet si shumë e rëndë.

Në vendngjarje, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.

Për rastin është angazhuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin.

Rasti po hetohet si “vrasje e rëndë”, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë informacion në vijim, në varësi të zhvillimit të hetimeve.

Ngjarja ka tronditur komunitetin në Malishevë, ndërsa detajet e plota mbi atë që ka ndodhur brenda banesës mbeten ende nën hetim.

Advertisement