Politike
“Do dështojë si Diella”/ Berisha nxjerr zbuluar “Pasqyrën” e Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish ndaj platformës “Pasqyra Albania”, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama pas takimit disaorësh me drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.
Berisha e ka cilësuar platformën si një tjetër përpjekje të kryeministrit për të mashtruar qytetarët, duke e krahasuar me projektin “Diella”, për të cilin shprehet se do të përfundojë në dështim.
“Pasqyra është që tani e verbër, është një mur për të mashtruar qytetarët”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar platformën si “mashtrimin e fundit të Ramës”.
Kreu i PD-së vijoi sulmin ndaj kryeministrit, duke pretenduar se Edi Rama po përballet me një nivel të lartë pakënaqësie brenda dhe jashtë vendit.
“Edi Rama, i damkosur botërisht dhe kombëtarisht… temperaturat e urrejtjes kombëtare ndaj Edi Ramës janë më të larta se temperaturat e mjedisit”, u shpreh Berisha.
Më tej, ai ironizoi edhe emërtimet dhe platformat e prezantuara nga kryeministri gjatë kësaj periudhe, duke deklaruar se Rama po ndryshon vazhdimisht projektet dhe mesazhet politike.
“Njëherë nxjerr Besën, herë tjetër nxjerr Ndorjen, herë tjetër nxjerr Kanunin, tani nxori Pasqyrën”, tha Berisha, duke e cilësuar këtë të fundit si një tjetër përpjekje të qeverisë për të krijuar një imazh të ri politik.