Connect with us

Politike

Gonzato i jep lamtumirën Shqipërisë: Zemra e shpirti im janë mbushur me kujtime

 Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka përmbyllur misionit e tij trevjeçar në vendin tonë, duke përcjellë një mesazh falënderimi dhe shprese për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Përmes një postimi të ndjerë në rrjetet sociale, diplomati i BE-së është shprehur se largohet me kujtime të paharrueshme, ndërsa ka premtuar se do të rikthehet sërish. Duke kujtuar fillimin e detyrës së tij kur hyri nga pika kufitare e Hanit të Hotit, Gonzato theksoi se gjatë udhëtimeve nga veriu në jug ka takuar njerëz ambiciozë e punëtorë.

Megjithëse ka parë nga afër sfidat dhe vështirësitë e vendit, ai u shpreh i bindur se vendosmëria dhe energjia e treguar e bëjnë të sigurt se e ardhmja e Shqipërisë është brenda familjes evropiane.  Gonzato nënvizoi punën e bërë nga delegacioni i BE-së për të mbështetur Shqipërinë në ndërtimin e institucioneve të forta e të pavarura, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe promovimin e diversitetit.

Në përmbyllje të mesazhit të tij gjatë largimit nga Porti i Durrësit, ai u shpreh me optimizëm se së shpejti do të vijë dita kur hyrja në Shqipëri nuk do të kërkojë më pasaportë.

Postimi i plotë:

“Duket sikur ishte dje kur mbërrita në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe nisa aventurën time në Shqipëri. Tre vite më pas, zemra dhe shpirti im janë mbushur me kujtimet e takimeve me njerëz të jashtëzakonshëm. Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, duke takuar gjatë rrugës njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë. Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Së bashku me kolegët e mi fantastikë, kemi punuar fort për t’iu përgjigjur dëshirës së Shqipërisë “për të qenë si pjesa tjetër e Evropës”, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, në një vend me institucione të forta dhe të pavarura, ku të drejtat e më të cenueshmëve mbrohen e respektohen, ku askush nuk lihet pas dhe ku diversiteti mirëpritet dhe vlerësohet. Të shtunën, kur u largova nga porti i Durrësit, i thashë vetes: “Do të kthehem.” Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri. Deri atëherë — mirupafshim, Shqipëri ,” Silvio Gonzato, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri.”, shkruan Gonzato.

Advertisement