Bota
Irani sfidon ofensivën ekonomike amerikane: Jemi gati për të gjitha
Teherani thotë se është i përgatitur për valën e re të sanksioneve të SHBA-së, ndërsa Uashingtoni paralajmëron izolim ekonomik për Iranin dhe çdo shtet që vijon të bashkëpunojë me të.
Irani thotë se ka hartuar një plan dyvjeçar për t’i bërë ballë zgjerimit të sanksioneve amerikane, duke sfiduar hapur strategjinë e re ekonomike të Uashingtonit.
Deklarata erdhi pasi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi një fushatë të gjerë kundër rrjeteve financiare të Iranit, të cilën e përshkroi si “ofensivën më të madhe financiare ndonjëherë”.
Ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, tha se vendi i tij nuk është kapur në befasi.
“Qeveria është dhe ishte e gatshme dhe ka një plan dyvjeçar për të menaxhuar këto ngjarje. Ne gjithashtu kemi mjetet tona dhe dimë si ta luajmë lojën”, deklaroi ai.
Sipas tij, masat e reja amerikane nuk do të sjellin rezultatin që kërkon Uashingtoni dhe mund të përfundojnë në një tjetër disfatë për Shtetet e Bashkuara.
SHBA: “Izolim ose rikthim në normalitet”
Administrata amerikane e ka vendosur Iranin përballë një zgjedhjeje të prerë.
Bessent tha se SHBA-ja po nis një sulm ekonomik ndaj lidhjeve financiare të Iranit në mbarë botën dhe paralajmëroi se çdo vend apo subjekt që vazhdon të bashkëpunojë me Teheranin do të përballet me pasoja.
“Operation Economic Outcast” synon, sipas Departamentit amerikan të Thesarit, të godasë rrjetet, ndërmjetësit dhe kanalet financiare që Irani përdor për të shmangur sanksionet dhe për të tregtuar naftë.
Masat e reja prekin pesë sektorë kryesorë: asetet dixhitale, teknologjinë, arin, aviacionin dhe transportin detar.
Bessent tha se qëllimi është të kufizohen burimet e të ardhurave për Gardën Revolucionare Islamike dhe strukturat e regjimit iranian.
Ai paralajmëroi gjithashtu qeveritë dhe kompanitë që ndihmojnë Iranin se nuk mund të pretendojnë se nuk janë në dijeni të aktiviteteve të tyre financiare.
Kina dhe Rusia në fokus
Teherani pretendon se nuk është i izoluar ndërkombëtarisht.
Madanizadeh tha se as Kina dhe as Rusia nuk kanë pranuar masat amerikane, ndërsa shprehu bindjen se edhe vende të tjera mund t’u rezistojnë presioneve të Uashingtonit.
Pekini, nga ana e tij, deklaroi se sanksionet dhe presioni ekonomik nuk janë mënyra për të zgjidhur konfliktet dhe se Kina do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e saj.
Frika për naftën dhe Ngushticën e Hormuzit
Përplasja ekonomike mes dy vendeve vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për tregjet energjetike.
Konflikti ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale të naftës, ndërsa Irani ka paralajmëruar se mund të ndalojë eksportet e naftës nga rajoni nëse luftimet vazhdojnë.
Një tjetër pikë shqetësimi është Ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë.
Sipas Reuters, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar anijet që të mos kalojnë nëpër ngushticë pa leje. Përmes kësaj rruge ujore kalon zakonisht rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë.
Teherani e ka kufizuar në mënyrë efektive trafikun në këtë korridor që prej fillimit të konfliktit, duke shtuar presionin mbi tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë pritet të shtojë presionin diplomatik ndaj vendeve që vazhdojnë të kenë marrëdhënie ekonomike me Iranin. Bessent bëri të ditur se Presidenti Donald Trump do t’u drejtohej liderëve botërorë me kërkesa konkrete për ndërprerjen e bashkëpunimit me regjimin iranian.
Përballë kësaj strategjie, Teherani sinjalizon se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se përplasja ekonomike me Uashingtonin mund të jetë një betejë afatgjatë