Connect with us

Bota

Alarmante/ TikTok dhe Facebook po përdoren për të rekrutuar fëmijë nga grupet e armatosura

Grupet e armatosura në Kolumbi kanë filluar të rekrutojnë fëmijë përmes rrjeteve sociale, kryesisht TikTok dhe Facebook.

Këtë e thotë një raport i publikuar sot nga organizata Human Rights Watch, e cila akuzon këto platforma se nuk kanë arritur të parandalojnë përhapjen e përmbajtjeve të tilla.

Sipas raportit, grupet e armatosura përdorin rrjetet sociale për të mashtruar fëmijët. U premtojnë para dhe mundësi të rreme pune, me qëllim që më pas t’i përdorin ata në luftime, në mbledhjen e informacioneve dhe në operacione me dronë.

Shumë nga viktimat janë vajza, të cilat bien pre e dhunës seksuale nga anëtarët e grupeve.

Human Rights Watch ka identifikuar postime ku shfaqen para dhe bizhuteri. Në komente, disa përdorues pyesin se si mund të bashkohen me organizata kriminale si karteli “Clan del Golfo” ose me grupe guerile të ekstremit të majtë.

Organizata thotë se e ka ngritur çështjen me Metën, kompaninë që zotëron Facebook-un, dhe me ByteDance, kompaninë që zotëron TikTok-un.

Meta është përgjigjur se po punon vazhdimisht për të përmirësuar strategjinë e saj për të luftuar rekrutimin e fëmijëve.

Ndërsa ByteDance ka deklaruar se po parandalon paraprakisht përdorimin e platformës nga grupet e armatosura të paligjshme dhe nga grupet e krimit të organizuar.

Advertisement