Connect with us

Aktualitet

Ethet e Nilit mbërrijnë në Korçë, ISHP nis hetimin në terren pas rastit të parë

Pas konfirmimit të rastit të parë me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik dhe entomologjik në qarkun e Korçës.

Një grup specialistësh nga Tirana ka mbërritur në terren për të kontrolluar praninë e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin, si dhe për të kryer depistimin në zonën ku dyshohet se është infektuar pacienti.

Rasti i parë i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili ndodhet aktualisht në Spitalin Rajonal të qytetit dhe po merr trajtimin mjekësor.

Sipas të dhënave paraprake, i moshuari dyshohet se është pickuar nga mushkonjat teksa qëndronte në shumicën e kohës në një lulishte në qytetin e Korçës. Pas shfaqjes së simptomave, ai iu drejtua spitalit, ku analizat laboratorike konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.

Ekipet e ISHP-së po zhvillojnë kontrolle në zona të ndryshme të qarkut, me fokus identifikimin e mushkonjës bartëse dhe përcaktimin e masave për kontrollin e saj.

Në zonat ku dyshohet për praninë e mushkonjave infektuese pritet gjithashtu të kryhet dezinfektimi dhe trajtimi i vatrave të identifikuara.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa në raste të tjera mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella.

Në raste më të rënda, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze.

Advertisement