Connect with us

Rajon

Vuçiç po “blindon” vendin me arme sulmi, Kroacia e shqetësuar jep alarmin

Kroacia ka ngritur shqetësime lidhur me forcimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, duke kërkuar që vendet aleate të Perëndimit të informohen mbi zhvillimet dhe të ushtrojnë presion politik ndaj Beogradit.

Deklaratat e zyrtarëve të lartë kroatë kanë shkaktuar reagim të menjëhershëm nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, duke rikthyer në vëmendje tensionet e vazhdueshme mes Zagrebit dhe Beogradit.

Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviç, tha se Serbia nuk po investon vetëm në mjete dhe kapacitete për mbrojtje, por edhe në armatime që sipas tij mund të përdoren për të sulmuar.

“Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese. Dhe këtë duhet t’ua themi aleatëve tanë perëndimorë”, u shpreh Jandrokoviç gjatë një konference në Zagreb.

Ai bëri thirrje për një angazhim më të madh të diplomacisë kroate në informimin e partnerëve perëndimorë mbi situatën e sigurisë në Ballkan. Sipas Jandrokoviçit, një pjesë e brezit të ri të elitave politike në vendet perëndimore nuk e njeh mjaftueshëm historinë e rajonit dhe konfliktet e viteve 1990.

Shqetësimet në Zagreb janë shtuar veçanërisht pas modernizimit të ushtrisë serbe dhe blerjes së 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca. Kroacia e konsideron rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë një zhvillim që kërkon vëmendje të shtuar nga aleatët e saj.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç. Ai deklaroi se partnerët e Kroacisë duhet të mbahen vazhdimisht të informuar për zhvillimet në Serbi.

“Duhet t’i informojmë dhe t’i njohim partnerët tanë me këtë situatë, në mënyrë që ata të ushtrojnë presion politik ndaj Serbisë”, tha Anushiç.

Advertisement