Kronike
Vrasja e shqiptares në Greqi/ Djali mori mamanë e larë në gjak dhe e dërgoi në spital, tentoi t’i shpëtonte jetën
Detaje tragjike kanë dalë në pah nga vrasja e shqiptares në Greqi, ku bëhet me dije se ka qenë djali i familjes Meço, 19-vjeçar, ai që mori nënën e tij të larë në gjak, e mbajti në krahë dhe nxitoi për ta dërguar në spital me shpresën se ajo do të shpëtonte. Pavarësisht tentativës për t’i shpëtuar jetën nënës së tij e cila u qëllua me thikë në qafë nga babai, mjekët e shpallën Esma Meçon, me origjinë nga Gramshi, të vdekur.
“Djali e mori nënën në krahë dhe e çoi vetë në spital, ku i thanë se ajo kishte vdekur”, është shprehur një prej fqinjëve të familjes shqiptare në Greqi
Siç raportuam dhe ne ditën e djeshme, Esma Meço për shkak të disa zënkave me burrin e saj, ishte larguar nga shtëpia muajt e fundit dhe punonte në punë sezonale në Thassos, raportohet si pastruese në një njësi hoteli. Ajo vendosi që të kthehej në fshatin Dialambi në Rodope , për të festuar së bashku ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare. Një ditë feste e familjes Meço, u përmbyll në mënyrën më tragjike të mundshme, pasi fëmijët panë nënën e tyre të larë në gjak për shkak të babait.
Në shtëpinë ku ndodhi vrasja, mësohet se jetonte 53-vjeçari Bujar Meço me vajzën e tij 16-vjeçare e cila do të ndiqte Liceun e 2-të dhe një nga dy djemtë e çiftit që mbaroi shkollën këtë vit. Po ashtu raportohet se çifti kishte pasur edhe një vajzë, e cila është 24 vjeç, e cila aktualisht jeton në Kretë pasi është martuar atje.
Ngjarja tragjike vjen në një moment ku bëhet me dije se 44-vjeçarja ishte ndarë nga 53-vjeçari për një kohë të gjatë, e ndonëse nuk ishin divorcuar me letra, ata nuk jetonin më bashkë. Mediat greke shkruajnë se në momentin e ngjarjes, vajza 16-vjeçare nuk ka qenë e pranishme pasi ka qenë në një dhomë tjetër në momentin e vrasjes së nënës së saj. Mirëpo vajza ka qenë ajo që ka telefonuar autoritetet për ngjarjen e rëndë.