Connect with us

Aktualitet

“Kemi vendosur bombë”/ E-mail që alarmoi institucionet: Do coptoheni, të pa fe

Një alarm për bombë ka mbërritur rreth orës 08:00 në disa institucione në Vlorë, Fier dhe disa qytetet të tjera të Shqipërisë.

Mes institucioneve që kanë marrë mesazhin kanë qenë Gjykata, Bashkia, Prokuroria, Spital si edhe disa institucione të tjera. Mesazhi është dërguar përmes një adrese emaili të huaj dhe përmbante paralajmërimin: “Kujdes, kemi vendosur bombë”.

Pas marrjes së alarmit, në institucionet e prekura janë angazhuar shërbimet e specializuara. Njësia Speciale Operacionale e Policisë së Vlorës ka kryer kontrolle të imtësishme në ambientet e institucioneve, përfshirë edhe kontrollet për lëndë apo pajisje shpërthyese.

Pas përfundimit të verifikimeve, nuk është konstatuar asnjë bombë apo objekt i dyshimtë. Policia ka verifikuar se bëhej fjalë për një alarm të rremë.

Burime nga Policia e Fierit, siç raporton korrespondenti Neritan Trifoni, bëjnë me dije se, si masë sigurie, patrulla policie janë vendosur pranë të gjitha institucioneve në qarkun Fier. Sipas të njëjtave burime, shërbimet policore po monitorojnë situatën në terren.

Për rastin vijojnë verifikimet për identifikimin e autorit që ka dërguar mesazhet kërcënuese.

Advertisement