Kronike
Arrestohet në Londër i kërkuari nga SPAK për rrëmbimin e Jan Prengës
Korado Gështënja, një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të SPAK, si person i dyshuar i përfshirë në rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e taksistit Jan Prenga. Një grup personash e morën me forcë Pengën në Kamëz për t’i bërë presion vëllait të tij në Angli të dorëzonte një sasi të madhe kokaine që grupi i Shijakut dyshonte se ia kishin vjedhur, por nga dhuna barbare gjeti vdekjen.
Interpol Tirana dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me skuadrën kombëtare britanike të ekstradimeve në NCA lokalizuan dhe arrestuan Korado Gështënjën në Londër.
Dokumentet e gjykatës të ekstradimeve në Londër “Westminster Magistrate Court” parë nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu tregojnë se është arrestuar për qëllim ekstradimi, Korado Gështënja. Në Angli ai përdorte edhe mbiemrin Kështenja dhe emrin e rremë James Martin.
Kësaj gjykate iu tha se 35-vjeçari shqiptar kërkohet mbi bazën e një urdhër-arresti lëshuar nga SPAK dhe miratuar nga GJKKO në Shqipëri, për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e drogave të Kategorisë A.
Përfaqësuesi i shtetit në këtë proces ekstradimi tha se Korado Gështënja më ose rreth datës 17/01/2020, ka privuar në mënyrë të paligjshme nga liria Jan Prengën, kundër vullnetit të tij.
“Më ose rreth datës 17/01/2020, ju keni bashkëpunuar në formën e një komploti me persona të tjerë për të importuar/eksportuar droga të Kategorisë A nga Ekuadori, konkretisht kokainë, në kundërshtim me ndalimin në fuqi për këto mallra” i tha prokurori Gështenjës.
Seanca e radhës e ekstradimit do të jetë më 02/09/2026 ora 10:00 ndërsa Gështenja mbahet në një paraburgim të Londrës, ndërsa për autoritetet mbetet e paqartë si i riu shqiptarë banues në St Leonards On Sea, hyri në Angli.
Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, rezulton se Korado Gështenja ishte pjesë e grupit të personave që e mbajtën nën vëzhgim dhe më pas e futën në makinë me forcë, për të shkuar drejt Shijakut.
Rrëmbimi i Jan Prengës dhe dënimi në mungesë për autorët
Jan Prenga u rrëmbye më 17 janar të 2020 pranë banesës së tij në rrugën “London” në Kamëz, pas një konflikti që vëllai i tij Astriti kishte me trafikantët shqiptarë të kokainës, sepse akuzohej prej tyre se u kishte marrë një ngarkesë prej 260 kilogram kokainë në Britaninë e Madhe.
Trupi i Prengës ende nuk është gjetur, ndërsa është provuar se ka humbur jetën për shkak të dhunës barbare të ushtruar ndaj tij, duke i “mbetur” në dorë rrëmbyesve që u porositën nga Altin Hajri.
Kamerat e sigurisë së biznesit në pronësi të Altin Hajrit, kanë regjistruar momentin kur ai mbërrin i pajetë në garazh dhe sesi më pas trupi transportohet me makinë larg kompleksit. Personi tjetër i dënuar përjetë për zhdukjen e trupit është kopshtari Festim Bixhdili.
Në këtë çështje hetimore të pandehur janë Dritan Rexhepi, Aldo Manjishta, Gentian Funiqi, Korado Gështenja, Martin Bleta, Artan Doçaj, Geraldo Martini.
Altin Hajri, një eksponent i krimit në kërkim ndërkombëtar për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të taksistit Jan Prenga, është dënuar me burgim të përjetshëm. Vendimi për të është dhënë në mungesë, pasi Altin Hajri ndodhet në arrati, edhe përse akuzohet për disa ngjarje kriminale.
Fatkeqësisht, bardhësia e kompleksit të vëllezërve Hajri të cilët i fshihen drejtësisë prej shumë vitesh, nuk i zbeh dot prapaskenat e errëta të krimit që Gjykata e Posaçme tashmë e ka kopsitur duke çuar përpara drejtësisë një nga porositësit.