Aktualitet
Administratorët në shënjestë/ Kush i mbron kur kërcënohen për borxhet?
Ngjarja e rëndë në Astir, ku një 74-vjeçar, administrator pallati, mbeti i plagosur pas një konflikti me një banor, hap një debat që nuk mund të mbyllet vetëm me kronikën e ngjarjes.
Kush i mbron administratorët e pallateve kur konfliktet për faturat, borxhet dhe shërbimet kthehen në kërcënime?
Çdo ditë, administratorëve u kërkohet të mbledhin pagesat për mirëmbajtjen, ashensorin, pastrimin, energjinë e ambienteve të përbashkëta dhe detyrime të tjera.
Dhe përballë tyre nuk është një institucion.
Është fqinji që takojnë çdo ditë në shkallë apo në ashensor.
MBLEDH BORXHIN, POR NUK ËSHTË PËRMBARUES
Këtu qëndron një nga problemet.
Administratori duhet t’i kërkojë banorit të paguajë, por nuk është polic dhe as përmbarues.
Kur banori kundërshton faturën, refuzon pagesën apo konflikti përshkallëzohet, administratori mund të gjendet personalisht përballë tij.
Në shumicën e rasteve gjithçka mund të përfundojë me një debat.
Por çfarë ndodh kur debati kalon në kërcënim apo dhunë?
TELEFONON POLICINË. PO PASTAJ?
Kjo është pyetja që duhet t’u drejtohet institucioneve.
Nëse një administrator denoncon se është kërcënuar nga një banor për shkak të detyrës së tij, çfarë mekanizmi konkret aktivizohet?
Çfarë ndodh kur kërcënimi përsëritet?
A ka mundësi reale për ndërhyrje parandaluese përpara se konflikti të përfundojë në dhunë?
Dhe sa administratorë pallatesh kanë denoncuar gjatë viteve të fundit kërcënime apo agresione të lidhura me ushtrimin e detyrës?
Këto janë të dhëna që Policia e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse duhet t’i bëjnë transparente.
RASTI I ASTIRIT ËSHTË NJË ALARM
Sipas dëshmisë së publikuar në media, konflikti në Astir dyshohet se nisi për një faturë uji dhe më pas degradoi rëndë.
Policia sekuestroi një thikë dhe një motorsharrë, ndërsa një 35-vjeçar u arrestua.
Hetimi duhet të përcaktojë dinamikën dhe përgjegjësitë konkrete të kësaj ngjarjeje.
Por rasti nxjerr në pah një problem shumë më të gjerë.
Administratorëve u kërkohet të trokasin te dera e banorit për detyrimet.
U kërkohet të kërkojnë borxhet.
U kërkohet të menaxhojnë konfliktet e përditshme të pallatit.
Por kur administratori kërcënohet pikërisht sepse po kërkon zbatimin e këtyre detyrimeve, kush e mbron?
Sepse nuk mund të presim që çdo konflikt të përfundojë fillimisht në komisariat apo spital dhe vetëm më pas të ndërhyjë sistemi.
Mbrojtja duhet të funksionojë përpara se kërcënimi të kthehet në dhunë.