Connect with us

Politike

Çfarë do të ndodhë në sesionin e ri? Dokumenti që zbulon sfidën e socialistëve

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur ditën e djeshme drejtuesit politikë dhe deputetët socialistë të qarkut Tiranë në një takim pune, të zhvilluar në një restorant në periferi të kryeqytetit.

Takimi është pjesë e një serie mbledhjesh që Rama ka zhvilluar ditët e fundit me ministra, drejtues politikë dhe struktura të Partisë Socialiste, në kuadër të përgatitjeve për një qasje të re të forcës politike ndaj qytetarëve dhe organizimit për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Pas takimit, Rama ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku ka dhënë disa detaje mbi diskutimet e zhvilluara.

“Me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste të qarkut Tiranë patëm një diskutim të dobishëm për organizimin e pranisë besnike, metodologjinë e Besës dhe sistemin e ri të Pasqyrë Albania, duke hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste”, shkruan Rama.

Në materialin e prezantuar gjatë takimeve të socialistëve theksohet se sfida politike nuk lidhet vetëm me betejën për faktet, por edhe me mënyrën se si perceptohet realiteti.

Sipas dokumentit, në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi, bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallohet se çfarë duhet besuar. Në këtë kuadër, socialistët evidentojnë tre elemente: një manipulim mund të ushqehet nga një pakënaqësi reale, një ndjenjë mund të shndërrohet në fakt përmes përsëritjes, ndërsa një pakicë e zhurmshme mund të krijojë përshtypjen e të qenit shumicë.

I njëjti dokument është prezantuar edhe nga drejtues politikë të Partisë Socialiste në qarqe të tjera gjatë ditës së sotme.

Gara për Bashkinë e Tiranës

Takimi i socialistëve të Tiranës zhvillohet në një moment kur brenda PS-së ka nisur diskutimi për kandidaturën për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Advertisement