Bota
Të shtëna në festivalin tekno/ 1 i vdekur, 5 të plagosur në Zvicër
Një natë feste është kthyer në skenë paniku në qytetin Aarau të Zvicrës, ku të shtëna me armë zjarri kanë lënë një person të vdekur dhe pesë të tjerë të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Ngjarja është regjistruar pak pas orës 02:30 të së dielës, në zonën Schachen, ku në pistën e garave me kuaj po zhvillohej “Aarau Rave Vol. 7”, një aktivitet i muzikës elektronike me një numër të madh pjesëmarrësish.
Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, pas të shtënave nisi menjëherë një operacion i gjerë. Zona u rrethua, ndërsa në terren u angazhuan forca të shumta policore, ekipe mjekësore, zjarrfikës dhe strukturat kantonale të emergjencave.
Në operacion është përfshirë edhe një helikopter “Super Puma” i ushtrisë zvicerane, ndërsa autoritetet vazhdojnë kërkimet për personin ose personat që hapën zjarr. Deri tani policia nuk ka bërë të ditur identitetin e autorit dhe as motivin e sulmit.
Dëshmitë nga vendngjarja përshkruajnë momente kaosi. Pjesëmarrësit fillimisht kanë menduar se krismat ishin fishekzjarrë, përpara se njerëzit të kuptonin se bëhej fjalë për të shtëna dhe të kërkonin strehim.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg zonës dhe personave që kanë filmime ose fotografi nga momenti i ngjarjes t’ua dorëzojnë ato hetuesve.
Ndërkohë, në rrjet kanë qarkulluar pretendime për një numër më të madh viktimash dhe disa autorë. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Bilanci i konfirmuar deri tani mbetet 1 person i vdekur dhe 5 të plagosur, disa prej tyre rëndë.
Hetimet vijojnë, ndërsa priten detaje të tjera nga autoritetet zvicerane për autorësinë dhe motivin e sulmit.