Kosova
Gërvalla përplaset me BE-në, mbron vendimin për gjyqtarët serbë
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të mos i rikthyer në sistem gjyqtarët dhe stafin administrativ serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022
Gërvalla ka mbrojtur vendimin e KGJK-së, duke thënë se institucionet e pavarura të Kosovës duhet të veprojnë në bazë të ligjit dhe jo sipas presioneve politike.
Ajo ka deklaruar se si ministre e Drejtësisë nuk mund të heshtë përballë, siç tha, përpjekjeve për të vënë në pikëpyetje zbatimin e ligjit nga institucionet e Kosovës.
“Si Ministre e Drejtësisë, nuk mund të hesht përballë përpjekjeve për ta vënë në pikëpyetje zbatimin e ligjit të Republikës së Kosovës nga institucionet e saj të pavarura dhe për t’u imponuar atyre interpretime e preferenca politike të kujtdo qoftë”, ka thënë Gërvalla.
Më 27 gusht, KGJK-ja refuzoi kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb, të cilët ishin larguar nga sistemi gjyqësor në vitin 2022. Vendimi u mor me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim.
Pas vendimit, emrat e gjyqtarëve që kishin dhënë dorëheqje iu dërguan ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për procedimin e lirimit të tyre nga detyra.
Gërvalla është shprehur se kanë kaluar pothuajse katër vjet që nga dorëheqjet dhe se gjatë kësaj periudhe gjyqtarët nuk kanë ushtruar funksionet e tyre.
“Kanë kaluar pothuajse katër vjet. Gjyqtarët në fjalë nuk kanë ushtruar detyrat e tyre për afërsisht katër vjet”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, gjatë kësaj periudhe ka pasur ndryshime në sistemin gjyqësor, përfshirë në ligje, praktika profesionale, raportim, vlerësim të performancës dhe trajnime.
Gërvalla ka argumentuar gjithashtu se dorëheqjet e vitit 2022 nuk mund të trajtohen thjesht si vendime individuale, duke pretenduar se ato ishin pjesë e një veprimi të organizuar dhe se ishin bërë në rrethana presioni politik nga Serbia.
Ajo ka përmendur edhe vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të mos lejuar rikthimin e prokurorëve serbë dhe stafit administrativ që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Duke iu përgjigjur kritikave ndaj vendimit të KGJK-së, Gërvalla ka kërkuar që të tregohet konkretisht se cilën dispozitë ligjore e ka shkelur ky institucion.
“Prandaj, e sfidoj publikisht cilindo që pretendon se këto vendime bien ndesh me ligjin e Republikës së Kosovës: na tregoni cili ligj është shkelur. Cili nen? Cila dispozitë?”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka kritikuar edhe reagimet e zyrtarëve evropianë, duke thënë se mbështetja për shtetin ligjor duhet të jetë e njëjtë edhe atëherë kur vendimet e institucioneve të Kosovës nuk përputhen me pritjet politike.
Sipas saj, përfaqësimi i komuniteteve në institucionet e drejtësisë është detyrim kushtetues, por kjo nuk duhet të përdoret për të anashkaluar ligjin.
“Republika e Kosovës është shtet ligjor. Dhe shteti ligjor ka kuptim vetëm kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë”, ka përfunduar Gërvalla.