Aktualitet
Përrenjtë e Himarës/ Cilat zona dhe prona do të mbrohen?
41.2 milionë lekë pa TVSH është fondi që Bashkia Himarë ka vendosur në dispozicion për sistemimin e përrenjve në territorin e saj.
Procedura me objekt “Sistemimi i përrenjëve Himarë” parashikon realizimin e punimeve brenda katër muajve dhe financohet nga buxheti i Bashkisë Himarë.
Por pas shifrës prej 41 milionë lekësh qëndron një projekt që meriton të shihet deri në detaje.
Dosja e tenderit përmban projektin, preventivin, raportin teknik, studimin gjeologo-inxhinierik, raportin topografik dhe dokumentacionin për ndikimin në mjedis.
Pra, investimi mund të matet.
Sa metra linearë do të sistemohen?
Çfarë sasie betoni, muresh mbajtëse, gabionesh apo punimesh të tjera parashikon projekti?
Dhe sa rezulton në fund kostoja reale për çdo segment ku do të ndërhyhet?
Por Himara është një nga zonat ku toka dhe zhvillimi turistik kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike.
Pikërisht për këtë arsye, një tjetër element merr rëndësi: çfarë pronash ndodhen përgjatë zonave ku do të kryhen punimet?
Sistemimi i një përroi nuk është vetëm një ndërhyrje hidroteknike.
Ai mund të mbrojë nga erozioni dhe përmbytjet banesa, biznese, toka dhe parcela private që ndodhen pranë tij.
Kjo nuk do të thotë se ekziston konflikt interesi apo favorizim.
Por projekti dhe harta kadastrale mund të tregojnë qartë se cilat prona përfitojnë drejtpërdrejt nga investimi publik.
Ndërkohë, gara është zhvilluar më 28 gusht, por në të dhënat publike të konsultuara ende nuk rezulton i shpallur operatori fitues.
Pikërisht rezultati i tenderit do të tregojë edhe sa kompani kanë konkurruar, sa është oferta fituese dhe sa larg fondit limit prej 41.2 milionë lekësh do të përfundojë kontrata.
Në një zonë ku çdo metër tokë ka peshë ekonomike, pyetja nuk është vetëm sa para do të shpenzohen.
Pyetja është:
KU DO TË NDËRHYHET ME 41 MILIONË LEKË DHE CILAT PRONA DO TË MBROHEN NGA INVESTIMI PUBLIK?