Politike
BE-JA NDRYSHON RREGULLAT E LOJES, FITON SHQIPERIA
Brukseli po shqyrton një model të ri zgjerimi për vendet kandidate, ku përfitimet dhe integrimi në sektorë të veçantë të Bashkimit Evropian mund të vijnë përpara anëtarësimit të plotë.
Ideja e integrimit gradual po merr gjithnjë e më shumë mbështetje në institucionet e BE-së dhe në disa prej vendeve kryesore anëtare.
Sipas Komisionit Evropian, ky model synon t’u japë vendeve kandidate përfitime konkrete për qytetarët, duke i nxitur njëkohësisht të përshpejtojnë reformat dhe përmbushjen e kushteve për anëtarësim.
Brukseli e konsideron integrimin gradual një mekanizëm që mund t’i afrojë vendet kandidate me tregun dhe strukturat e Bashkimit Evropian, edhe përpara se ato të bëhen anëtare me të drejta të plota.
Shqipëria është një prej vendeve që mund të përfitojë nga ky model.
Brukseli sjell si shembuj pjesëmarrjen në SEPA, Zonën Unike të Pagesave në Euro, si dhe marrëveshjet për roaming, duke argumentuar se qytetarët mund të përfitojnë drejtpërdrejt nga procesi i integrimit edhe para anëtarësimit.
Por ndryshimi mund të jetë më i madh se kaq.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka pranuar se Bashkimi Evropian po punon për një qasje të re ndaj zgjerimit, të diktuar edhe nga zhvillimet e reja gjeopolitike.
Propozimi i Komisionit Evropian pritet t’u prezantohet vendeve anëtare në shtator, ndërsa diskutimi në Këshillin e BE-së pritet të zhvillohet në tetor.
Për Shqipërinë, një model i tillë mund të përshpejtojë afrimin me Bashkimin Evropian, në një kohë kur procesi i negociatave vijon me ritme të ndryshme.
Deri tani, Shqipëria ka mbyllur vetëm tre kapituj negociues, ndërsa Tirana është shprehur e gatshme për të mbështetur edhe ndryshime të rëndësishme në mënyrën e funksionimit të procesit të zgjerimit.
Madje, Shqipëria ka sinjalizuar gatishmëri për të diskutuar edhe kufizime të mekanizmave tradicionalë të anëtarësimit, përfshirë çështjen e vetos.
Qëndrim krejt tjetër mban Mali i Zi, i cili është shumë më përpara në procesin e negociatave.
Podgorica kërkon që objektivi të mbetet i pandryshuar: anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian dhe të gjitha të drejtat që burojnë prej tij.
Kështu, në tavolinën e Brukselit po shfaqet një dilemë e re:
A duhet që vendet kandidate të presin anëtarësimin e plotë për të përfituar nga BE-ja, apo duhet të integrohen gradualisht, hap pas hapi?
Për Shqipërinë, kjo mund të jetë një mundësi për të hyrë më shpejt në disa prej strukturave dhe përfitimeve të Bashkimit Evropian.
Por nëse reforma e zgjerimit miratohet, ajo mund të ndryshojë edhe vetë mënyrën se si vendet e Ballkanit Perëndimor afrohen me BE-në.
