Kosova
Miniç nuk kursehet; Serbia po luan me zjarrin, Kosova në qendër të krizës
Dialogu Kosovë-Serbi mbetet i ngrirë, marrëveshjet nuk po zbatohen, ndërsa tensionet politike në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të rriten.
Ekspertja për çështjet evropiane dhe marrëdhëniet rajonale, Jelica Miniç, në një intervistë për RTK-në, thotë se politika e Beogradit po ndikon negativisht në stabilitetin e rajonit.
Sipas saj, Serbia po përpiqet të ruajë njëkohësisht marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa nuk ka ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me shumicën e fqinjëve.
Miniç veçon tensionet mes Serbisë dhe Kroacisë, ndikimin e Beogradit në zhvillimet politike në Mal të Zi, si dhe rolin e Serbisë dhe Kroacisë në tensionet brenda Bosnjë e Hercegovinës.
Ajo paralajmëron se përplasjet me fqinjët mund të dëmtojnë edhe komunitetet serbe që jetojnë jashtë Serbisë.
Por shqetësimi kryesor, sipas Miniç, mbetet Kosova.
Ekspertja e konsideron dialogun Kosovë-Serbi praktikisht të ngrirë dhe thotë se marrëveshjet e arritura nuk po zbatohen.
Në këtë kuadër, ajo përmend edhe sulmin në Banjskë dhe mungesën e një epilogu të plotë gjyqësor, ndërsa vlerëson se tensionet, arrestimet dhe incidentet kanë ndikuar drejtpërdrejt te komuniteti serb në Kosovë.
Miniç i bën thirrje Beogradit të ndjekë një qasje më konstruktive për përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë, duke shmangur retorikën konfliktuale.
Ndryshe, ajo e vlerëson marrëdhënien Serbi-Shqipëri, duke kujtuar se nisma “Ballkani i Hapur” kishte përmirësuar komunikimin mes dy vendeve, edhe pse më pas humbi peshën politike dhe nuk u shndërrua në një mekanizëm të qëndrueshëm rajonal.
Sa i përket orientimit të Serbisë, Miniç thotë se Beogradi duhet të përqendrohet më shumë te fqinjët dhe integrimi evropian.
Sipas saj, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë hapa më të qartë drejt strukturave euroatlantike.
Në përfundim, Miniç paralajmëron se politika e balancimit mes fuqive të mëdha nuk mund të zëvendësojë marrëdhëniet e mira me fqinjët.
Ndërsa dialogu me Kosovën mbetet i bllokuar dhe procesi i integrimit evropian përballet me vështirësi, Beogradi po kërkon një kanal të ri bashkëpunimi me Uashingtonin përmes dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara.