Connect with us

Aktualitet

20 vatra zjarri në territor, Shqipëria ndodhet nën rrethim nga gjuhët e flakëve

Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa zona të Shqipërisë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes,  janë raportuar 20 vatra zjarri, prej të cilave 7 vijojnë aktive dhe 3 të tjera janë nën monitorim.

Në operacionet për shuarjen dhe kontrollin e flakëve janë angazhuar 284 forca dhe 33 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë me 80 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive janë në qarqet Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës.

Në zonën e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, vijon operacioni me zjarrfikës, efektivë të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja mbështetet edhe nga ajri.

Situata më e ngarkuar paraqitet në qarkun Dibër. Në Vajkal dhe Sllatinë janë angazhuar dhjetëra efektivë, ndërsa aktive mbeten edhe vatrat në Lundre të Matit dhe Ballenjë të Martaneshit, kjo e fundit në zonë të mbrojtur.

Në Vithkuq, zjarri në Qafën e Lugut ka përfshirë sipërfaqe pyjore. Për shkak të terrenit të vështirë, zona do të monitorohet gjatë natës.

Ndërkohë, zjarri i riaktivizuar në Zallë të Fushë-Krujës është vënë nën kontroll dhe, sipas autoriteteve, nuk ka zona të banuara në rrezik.

Nën mbikëqyrje vijojnë edhe vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit. Gjatë së dielës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa forcat në terren mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.

Advertisement