Kosova
Vuk Drashkoviç kundër Vuçiçit: Të nderosh Ratko Mlladiçin është sikur të festosh për krimet e tij
Ish-kryediplomati dhe politikani serb Vuk Draskovic ka reaguar ashpër ndaj çdo mundësie që Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, të varroset me nderime të larta shtetërore në Serbi.
Në një prononcim për gazetën serbe Danas, Draskovic e cilësoi si të turpshëm glorifikimin e figurës së Mlladiqit dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për ta paraqitur atë si hero kombëtar do të ishte një goditje e rëndë ndaj ndërgjegjes morale të shoqërisë serbe.
“Shugurimi mediatik i Ratko Mlladiqit si një kalorës hero i kombit serb është i turpshëm. Është e pafalshme të festohen krimet e tmerrshme për të cilat ai u dënua. Serbia është në buzë të greminës së rrënimit shpirtëror”, është shprehur Draskovic.
Ai u ndal veçanërisht te mundësia e një varrimi të Mlladiqit me nderime të larta ushtarake dhe shtetërore, duke e cilësuar një akt të tillë si një goditje ndaj themeleve morale dhe të drejtësisë në Serbi.
“Varrimi me nderimet më të larta ushtarake shtetërore të njeriut të cilin gjykatat ndërkombëtare e dënuan me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, do të ishte varrimi i themeleve të moralit, drejtësisë dhe vlerave njerëzore të Serbisë së sotme”, deklaroi ai.
Deklaratat e Draskovicit vijnë në një kohë kur çdo diskutim mbi figurën e Ratko Mlladiqit mbetet jashtëzakonisht i ndjeshëm në Serbi dhe në rajon, veçanërisht për shkak të rolit të tij gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.