Kosova
‘Presidenti’ mban peng Kosovën, del emri që ka marrë pëlqimin e Kurtit dhe Abdixhikut si kandidat
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, është emri që po merr gjithnjë e më shumë peshë në diskutimet politike për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Sipas raportimeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë arritur një dakordim në parim që Sejdiu të jetë kandidat për president.
Marrëveshja e raportuar mes dy liderëve thuhet se është diskutuar dhe është dakorduar gjatë takimit të tyre të parafundit, të mbajtur të mërkurën.
Megjithatë, emri i Sejdiut ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Kurti apo Abdixhiku. Po ashtu, nuk dihet nëse dakordimi politik është përfundimtar dhe nëse kandidatura e tij do të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Kurti dhe Abdixhiku janë takuar sërish, në një takim të paparalajmëruar, por pas bisedës kanë zgjedhur të mos japin detaje.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për juve”, u shpreh shkurt Kurti pas takimit.
Emri i Bekim Sejdiut tashmë është vendosur në qendër të diskutimeve për postin e presidentit, ndërsa vëmendja kryesore është te mundësia e krijimit të një konsensusi politik që do t’i siguronte atij votat e nevojshme në Kuvend.
Nga drejtësia kushtetuese te diplomacia
Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi.
Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa më herët ka mbajtur poste të rëndësishme diplomatike.
Sejdiu ishte ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, ndërsa nga viti 2012 deri më 2014 shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork.
Para emërimit në postin e ambasadorit, ai ka qenë këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Përveç angazhimit në institucionet shtetërore, Sejdiu është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku është pjesë e stafit akademik që nga viti 2002.
Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ka kryer studime pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare, demokraci dhe të drejta të njeriut. Doktoraturën e ka përfunduar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.
Sfida kryesore: 80 vota
Nëse kandidatura e Sejdiut formalizohet, beteja e radhës do të zhvillohet në Kuvend.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Në dy rundet e para të votimit, kandidati duhet të sigurojë 80 vota, ose dy të tretat e të gjithë deputetëve.
Në rast se presidenti nuk zgjidhet në dy rundet e para, në rundin e tretë mjafton shumica e të gjithë deputetëve, përkatësisht 61 vota.
Për momentin, Bekim Sejdiu mbetet vetëm një emër i dakorduar në parim, sipas raportimeve. Pa konfirmim zyrtar dhe pa një marrëveshje të plotë për votat në Kuvend, gara për presidentin e ardhshëm të Kosovës mbetet ende e hapur.