Aktualitet
Shqipëria, kampione në llaç e tulla/ Ndërton 2.5 herë më shumë se mesatarja e BE-së
Shqipëria vijon të kryesojë Europën për peshën që zë ndërtimi në ekonomi.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 sektori i ndërtimit përbënte 12.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth dy herë e gjysmë mbi mesataren e Bashkimit Europian, që është vetëm 5 për qind.
Pas Shqipërisë në Europë renditet Rumania me 8.6 për qind, ndërsa Kosova është në vendin e tretë me 7.8 për qind.
Edhe në Ballkan, diferenca është e dukshme. Ndërtimi përbën 6.6 për qind të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, 4.8 për qind në Bosnje-Hercegovinë, 4.6 për qind në Serbi dhe vetëm 3.8 për qind në Mal të Zi.
Rritja e sektorit është nxitur nga ndërtimet rezidenciale, projektet infrastrukturore dhe investimet turistike, veçanërisht përgjatë bregdetit.
Por ekonomia shqiptare po përballet edhe me një kontrast të fortë. Ndërsa ndërtimi po zgjerohet, bujqësia dhe industria po tkurren. Në vitin 2025, bujqësia ra me 2 për qind, ndërsa industria me 1.6 për qind.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme dhanë së bashku rreth një të katërtën e rritjes ekonomike, ndërsa në punësim pesha e tyre mbetet shumë më e ulët.
Të dhënat tregojnë kështu një ekonomi ku ndërtimi po merr gjithnjë e më shumë peshë, ndërsa sektorët që punësojnë pjesën më të madhe të shqiptarëve po përballen me tkurrje.