Connect with us

Kronike

Kamerieri u rrah nga djemtë e pronarit se kërkoi pagën, xhaxhai shkoi për t’i vrarë, lihen në burg

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45 ditë për Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, të dyshuar për plagosje të rëndë me dashje pas një konflikti me një 18-vjeçar që punonte si kamarier në një hotel në Malin e Robit, Golem.

Sipas të dhënave të bëra publike nga policia dhe prokuroria, konflikti dyshohet se ka nisur për çështje që lidhen me pagesën e punës. Pas përplasjes, 18-vjeçari Genti Nela është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Kavajës.

Për të njëjtën ngjarje, Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim.

Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar edhe Melson Nelën, xhaxhain e 18-vjeçarit, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë. Sipas policisë, ai dyshohet se ishte nisur drejt hotelit pas marrjes së informacionit për dhunimin e nipit. Për të, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “arrest në burg” pa afat, për akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Gjatë hetimeve janë evidentuar gjithashtu dëmtime në sistemin e kamerave të sigurisë së hotelit. Sipas autoriteteve, pajisja DVR ishte hequr dhe kabllot e kamerave ishin prerë, rrethanë që po verifikohet në kuadër të hetimit.

Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për të përcaktuar në mënyrë të plotë rrethanat e konfliktit, përgjegjësitë individuale dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Advertisement