Kosova
Zyrtare! Bekim Sejdiu kandidati për president, pas marrëveshjes VV-LDK
Bekim Sejdiu ka konfirmuar pranimin e kandidaturës për president të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur pajtueshmëri për emrin e tij.
Sejdiu e ka cilësuar si nder besimin e dhënë nga përfaqësuesit e dy partive, ndërsa ka theksuar se kandidatura e tij është si kandidat jo-partiak.
“Dy partitë kanë arritur pajtueshmëri për emrin tim. Kjo më bën të nderuar besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive”, është shprehur Sejdiu.
Ai ka deklaruar se, megjithëse angazhimi i tij fillestar ka qenë i orientuar kryesisht drejt fushës akademike, ka vendosur ta pranojë propozimin duke marrë parasysh përgjegjësinë që mbart posti i presidentit dhe situatën aktuale politike në Kosovë.
“E kam pranuar këtë propozim ndonëse ambicia ime ka qenë më shumë në fushat akademike, por duke qenë i vetëdijshëm edhe me barrën e përgjegjësisë që sjell posti i presidentit dhe me kontekstin aktual politik të Kosovës, jam vënë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve tanë”, ka thënë ai.
Sejdiu është zotuar se detyrën do ta ushtrojë me përkushtim, nëse merr mbështetjen e nevojshme parlamentare.
Zgjedhja e presidentit të Kosovës kalon përmes procedurave kushtetuese dhe parlamentare në Kuvend. Kandidatura e Sejdiut pritet tashmë të ndiqet nga hapat përkatës institucionalë për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë në diplomaci dhe drejtësi. Ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri në vitin 2012 dhe si Konsull i Përgjithshëm në Nju-Jork nga viti 2012 deri në vitin 2014.
Më herët, Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai ka qenë gjithashtu gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.